Durrësi çel sezonin turistik 2026 me aktivitete festive në plazh

TIRANË, 24 maj /ATSH/ Durrësi ka çelur këtë fundjavë sezonin turistik 2026, duke shënuar nisjen zyrtare të aktiviteteve verore në një nga destinacionet kryesore bregdetare të vendit.
Hapja e sezonit u shoqërua me aktivitete të ndryshme sportive dhe argëtuese në zonën e plazhit, ku u krijua një atmosferë festive që mblodhi së bashku pushues, turistë dhe vizitorë të shumtë.
Kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako, ndau në rrjetet sociale momente nga aktivitetet e zhvilluara me këtë rast.
“Mjaft atmosferë dhe energji gjatë aktiviteteve të zhvilluara sot në kuadër të hapjes së sezonit turistik”, shkroi Sako.
Festimet vijojnë edhe gjatë pasdites në sheshin “Liria”, ku është parashikuar një performancë artistike nga “Aldo Dance”, që synon të sjellë një program argëtues për qytetarët dhe vizitorët.
Durrës mbetet një nga qytetet më të rëndësishme bregdetare të vendit, i njohur për fluksin e lartë të vizitorëve gjatë gjithë vitit, veçanërisht gjatë sezonit veror, kur plazhet e tij shndërrohen në një nga destinacionet më të frekuentuara turistike në Shqipëri.
/e.xh/a.f/