Durrësi drejt turizmit elitar – Rritet numri i rezorteve, ulet kërkesa për apartamente

Gjatë një interviste në emisionin “Ngjarja kryesore” në RTSH, Floreta Kërtusha, përfaqësuese e Drejtorisë së Turizmit në Bashkinë e Durrësit, theksoi se qyteti po tërheq gjithnjë e më tepër marka ndërkombëtare dhe investitorë të huaj, të interesuar për zhvillimin e strukturave akomoduese të nivelit të lartë.
Sipas saj, vitet e fundit është vënë re një rritje e ndjeshme e numrit të rezorteve luksoze, ndërkohë që kërkesa për apartamente ose banesa për pushime ka rënë ndjeshëm.
Ky orientim i ri shihet si një strategji për të rritur cilësinë e ofertës turistike dhe për të tërhequr një kategori më të lartë vizitorësh, duke i dhënë Durrësit një profil më ekskluziv në hartën turistike të rajonit.
“Ne tani po synojmë turizmin elitar, që është fokusi jonë. Markat ndërkombëtare janë një shembull shumë i mirë që tregojnë se na kanë besuar ne industrinë e tyre edhe për turizmin dhe kjo tregon që ne jemi të gatshëm për të thithur këto investitor të huaj. Kemi pasur një interes shumë të lartë për sa i përket njësive apo strukturave akomoduese. Vitet e fundit kemi një rritje dhe të rezorteve dhe kërkesat së fundmi në qytetin e Durrësit nuk janë më për apartamente apo banesa, por janë për struktura hoteliere”, u shpreh Kërtusha.
/rtsh.al/