Durrësi feston me tinguj deti – Mbrëmje me muzikë, valle e humor, mbledh qytetarë nga mbarë vendi

Një atmosferë festive përfshiu qytetin bregdetar të Durrësit, ku u zhvillua “Festa e Detit”, një traditë që prej vitit 1992.
Qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën për të ndjekur një mbrëmje të mbushur me art, muzikë dhe ritme tradicionale. Ngjarja u organizua nga Qendra e Artit dhe Kulturës Shqiptare dhe vlerësohet si një nga aktivitetet më përfaqësuese të verës durrsake.
“Ky aktivitet është manifestimi më i madh artistik që e kemi nisur që në vitin 1992 dhe që shpreh mikpritjen durrsake dhe lidhjen me turizmin, detin dhe më gjerë“, u shpreh Minella Kureta, drejtor artistik.
Në skenën pranë bregdetit performuan emra të njohur si Irma e Eranda Libohova, Maya, Kastriot Tusha dhe Luljeta Strefi, si dhe trupa vallesh nga trevat shqiptare.
Publiku u argëtua edhe me humor, duke e kthyer këtë festë në një ngjarje që bashkon traditën me komunitetin dhe e bën Durrësin një qendër të gjallë kulturore verore.
/rtsh.al/