Durrësi ndriçon kuqezi për 113-vjetorin e Pavarësisë

Durrësi, qyteti bregdetar me histori të lashtë dhe krenari kombëtare, është veshur kuqezi në prag të festave të 28 dhe 29 Nëntorit.
Atmosfera festive ka pushtuar rrugët dhe sheshet, ndërsa flamujt kombëtarë valëviten kudo, duke i dhënë qytetit një pamje madhështore në nderim të 113-vjetorit të Pavarësisë.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga “Veliera”, e ndriçuar kuqezi, një kryevepër arkitektonike që ka krijuar një hapësirë të re publike për këmbësorët e Durrësit.
“Veliera” është pjesë e planit të zhvillimit Durrësi Turistik 2030, që synon transformimin e qytetit në një qendër moderne turistike dhe kulturore, duke e kthyer në një destinacion bashkëkohor dhe një vatër të pasur të trashëgimisë shqiptare.
Dekorimet e Festave të Nëntorit janë kthyer tashmë në traditë jo vetëm në Durrës, por në mbarë Shqipërinë.
Përveç flamujve kuqezi, strukturat e bashkisë po vendosin edhe dekoret festive të fundvitit, duke e bërë qytetin të shkëlqejë në çdo cep.
Kujtojmë se më 26 nëntor 1912, patriotët durrsakë morën vendimin historik për ngritjen e flamurit kombëtar, pak ditë para mbërritjes së Ismail Qemalit në Vlorë.
Ky akt u kurorëzua nga kryetari i parë i bashkisë së Durrësit, Hafiz Ali Podgorica, i cili ngriti flamurin shqiptar dhe e vendosi qytetin bregdetar në faqet e lavdishme të historisë së pavarësisë.
Kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako, në fjalën e saj gjatë ceremonisë, u shpreh se “Kujtojmë me nderim momentin historik të 113 viteve më parë, kur Hafiz Ali Podgorica ngriti flamurin shqiptar. Ky është një akt i shenjtë, një kujtesë e përhershme e sakrificave të panumërta të bëra për atdheun tonë. Sot, përulemi me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që dhanë gjithçka për pavarësinë e vendit.”
/rtsh.al/