E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjobitet Partizani, zyrtari i Elbasanit dënohet me 10 ndeshje, rikthehet Martini

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pranë FSHF-së ka dhënë vendimet përkatëse për parregullësitë e evidentuara në fundjavën e kaluar sportive.

E pëson Partizani. Për sjellje të gabuar të spektatorëve, klubi i kuq është gjobitur me 50 mijë lekë. Zyrtari i Elbasanit, Elton Guranjaku është dënuar me 10 ndeshje pezullim nga aktiviteti. Katër ndeshje pezullim janë dhënë për zyrtarin e Laçit, Kleo Laska.

Komisioni i Disiplinës ka pranuar kërkesën e trajnerit të Vllaznisë, Edi Martini, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit. Martini u dënua me dy ndeshje dhe mungoi në sfidën përballë Partizanit, rikthehet në stol për ndeshjen me Teutën.

Vendimet e plota:

  1. FK Partizani, për sjellje të gabuar të spektatorëve, duke ndezur flakadanë dhe mjete të tjera piroteknike, në bazë të nenit 17/2/c të KDE, dënohet me gjobë në masën 50.000 (pesëdhjetë mijë) lekë.
  2. Zyrtari i AF Elbasani, Elton Guranjaku, për kërcënim ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/k të KDE dënohet me 10 (dhjetë) ndeshje pezullim nga aktiviteti. Në zbatim të nenit 6/2/b të KDE, zyrtarit i ndalohet hyrja në dhomat e zhveshjes dhe ambientet e brendshme të stadiumit, deri në përfundim të dënimit.
  3. Zyrtari i KF Laçi, Kleo Laska, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  4. AF Luftëtari, për mos respektimin e detyrimeve dhe rregulloreve të aktivitetit duke shkaktuar vonesa gjatë zhvillimit të ndeshjes, në bazë të neneve 8/1 dhe 13/2/a të KDE, dënohet me gjobë në masën 100.000 (njëqind mijë) lekë. Sipas nenit 76/1/a të KDE, gjoba të aplikohet në masën 50%.
  5. Zyrtari i KF Naftëtari, Eldison Kapo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  6. Zyrtari i KF Gramshi, Andrit Bici, për sulm ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 8 (tetë) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  7. Lojtari i Adriatiku, Ernest Gjoka, për sulm ndaj zyrtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/i të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  8. Lojtari i KF Vora U-18, Ergi Lushaj, për sjellje të dhunshme ndaj lojtarëve të ekipit kundërshtar, në bazë të nenit 14/1/h të KDE, dënohet me 3 (tre) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  9. Zyrtari i KF Skënderbeu U-18, Entjel Bilo, për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, në bazë të nenit 14/1/j të KDE, dënohet me 4 (katër) ndeshje pezullim nga veprimtaritë.
  10. Pranimin e kërkesës së zyrtarit të KF Vllaznia, Edi Martini, për konvertimin e pjesës së mbetur të dënimit, bazuar në nenin 75 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës.
  11. Pranimin e kërkesës së lojtarit të KF Maliqi, Enrik Agolli, pezullimin e pjesës së mbetur të dënimit. Periudha e pezullimit me kusht, në zbatim të nenit 34/1 të KDE, do të jetë 6 (gjashtë) muaj.

Kundër vendimit lejohet ankim brenda 3 (tre) ditëve përpara Komisionit të Apelit.

Komisioni i Disiplinës dhe Etikës pasi u njoh me relacionin e Sekretariatit Teknik, korrespondencën me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë lidhur me aktet e dhunës në ndeshjen e kampionatit “Abissnet Superiore” FK Partizani-KF Vllaznia të zhvilluar më datë 23.11.2025 ora 16:30 në Kompleksin Partizani, ku janë konstatuar shkelje të parashikimeve ligjore të nenit 48 e vijues të Ligjit 79/2017 “Për Sportin” si dhe pasi shqyrtoi dokumentacionin e paraqitur dhe diskutoi çështjet në tërësi duke u bazuar në nenin 59 e vijues të KDE,

VENDOSI:

1. Të ndalojë hyrjen në stadiumet e futbollit të Republikës së Shqipërisë ku zhvillohen veprimtari të organizuara nga FSHF për një periudhë të pakufizuar kohe shtetasit Artur Xhemal Alibashi.

2. Në bazë të Nenit 7 të KDE, udhëzohen të gjithë anëtarët e FSHF të cilët kanë nën administrim stadiume futbolli, të garantojnë zbatimin e këtij vendimi.

3. Një kopje e këtij vendimi t’i përcillet Policisë së Shtetit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›