Durrësi në panairin ndërkombëtar të Gastronomisë në Berlin

TIRANË, 2 tetor/ATSH/ Qyteti i Durrësit, i cilësuar si një ndër destinacionet kryesore turistike të vendit, po prezantohet në panairin më të madh tregtar të organizuar nga shqiptarët jashtë vendit, i cili zhvillohet në Berlin, nga 1-3 tetor.
Në panairin ndërkombëtar të Gastronomisë, i cili zhvillohet me moton “Aty ku tradita bashkohet me tregtinë” ishte e pranishme edhe kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako.
Në një postim në rrjetet sociale, Sako tha se “në panair po prezantojmë qytetin tonë me vlerat e rralla të trashëgimisë së pasur historike, kulturore, bregdetin e mrekullueshëm, bukuritë natyrore, traditat, gastronominë”.
Në këtë panair marrin pjesë 120 kompani nga sektori i ndërtimit, dizajnit dhe dekorimit, sektori i zinxhirit të furnizimit, sektori i shërbimeve digjitale, si dhe sektori i investimeve në turizëm dhe pronat e paluajtshme nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi si dhe pjesëmarrës nga diaspora shqiptare në Evropë dhe Amerika.
Në panairin e gastronomisë në Berlin, Shqipëria do të përfaqësohet nga 22 subjekte shqiptare që do të prezantojnë produkte autentike të bëra nga duart e arta të secilit, për të promovuar identitetin tonë kulinar dhe për të përforcuar pozitën e produkteve shqiptare në tregjet ndërkombëtare.
Bashkia e Durrësit edhe në mars të këtij viti mori pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit në Berlin, ku u prezantua me një ofertë të plotë turistike.
/k.s/r.e/a.f/