Dushaj, fshati piktoresk i kullave mbi Fushë-Bulqizë

TIRANË, 17 maj/ATSH/ Nënë Sofien e gjejmë duke ndihmuar ustallarët që po rinovojnë kullën për të pritur mysafirët e sezonit të ri turistik. Rrezet e diellit depërtojnë shtëllungat e reve që kanë vendosur të luajnë hijedritaz me njerëzit përposhtë.
Kulla Hupi në Lepurakë, pjesa hyrëse e fshatit Dushaj, tashmë vjen si toponim i njohur edhe për ata që nuk e kanë vizituar ndonjëherë. Për shumë turistë kulla përbën oaz freskie dhe mikpritjeje gjatë verës, për udhëtarët është pika e nisjes drejt Malit të Bardhë siç e njohin vendasit Majën e Arithit, pjesë e vargmaleve që e ndajnë Bulqizën me Lurën.
Tashmë drejt fshatit ka rrugë të asfaltuar, mungesa e së cilës e kufizonte numrin e vizitorëve që udhëtonin drejt kullës e cila ka një histori mbi 200-vjeçare, siç na tregoi Lulzimi, djali i nënë Sofies. Ai shkëputet nga puna që po bën së bashku me mjeshtrit e gurit dhe drurit dhe na premton se do na tregojë më shumë kur të kthehemi pas vizitës në fshat.
Ngjitja drejt lagjeve të sipërme të fshatit Dushaj është sikur kalon nëpër një tunel të gjelbër nga pemët e larta dhe shpërthimit marramendës të kopshtijeve. Shtëpitë vijnë njëra pas tjetrës, disa të reja me çati të kuqe dhe ballkone plot lule, të tjera gjysmë të rrënuara me gardhe të rëna. Lulet e egra ndodhen kudo në shteg, madje edhe në betonin e rrugicës që ngjitet lart.
Në të djathtë befasia e parë është një xhami e vogël ndërtuar me gurë, e pozicionuar pak më lart se shtëpitë. Me gjelbërimin përreth, qiellin e kaltër dhe siluetën karakteristike ajo të kënaq syrin dhe të ndez kureshtjen.
Xhamia “Mustafa Ahmed el Merzuk” ka formën e një kulle të fortifikuar me arkitekturën më të veçantë në të gjithë zonën e Fushë-Bulqizës. Stili me gurë të gdhendur i përshtatet mrekullisht ansamblit përreth, ndërsa minarja ka formë shumë karakteristike – e shkurtër, rrethore dhe e veshur me gurë, duke u mbyllur me një majë konike prej llamarine.
Në Dushaj ka edhe kulla të tjera më të vogla, disa prej të cilave e kanë humbur funksionin pasi krah tyre janë ndërtuar shtëpi moderne, ndërsa fshati zhvillohej në kohëra më moderne.
Rrugica përfundon befas dhe përpara shtrihen dy shtigje, njëri drejt Malit të Bardhë, me lëndina të gjera me lule e pemë dhe tjetra zbret drejt përroit.
Gurgullima e ujërave tregon se aty pranë ka ujëvarë dhe vërtet një shenjë e kuqe në gur tregon shtegun.
Ujëvara është e vogël, por ka shumë ujë. Sjell poshtë drejt fshatit ujërat e dëborës nga shpatet e maleve që ruajnë pllanga pllanga ende praninë e saj. E rrethuar me pemë, bar dhe lule, një oaz freskie mbushur me melodinë e ujërave që rrjedhin mes shkëmbinjve.
Sapo ngjitesh dhe pak dhe je sipër ujëvarës shfaqet e gjithë lugina ku shtrihet fshati Dushaj, në të dy shpatet, me shtëpitë e reja dhe kopshtijet e punuara, kafshët që kullosin, pemët që lëkunden nga flladi ndërsa zogjtë këndojnë në kor.
Një grua e cila po pushon nga puna në arë na e bën me dorë nga ana tjetër e shpatit. Disa djem mbledhin bagëtinë. Lëndinat sipër fshatit janë të rrethuara me gardhe druri ndërsa ndeshemi edhe me varreza të vjetra, me gurë ku emrat janë shuar, e që dëshmojnë se fshati ka qenë edhe më i shtrirë në të shkuarën.
Territori i fshatit është mjaft i thyer, duke filluar nga lartësia 640 m deri në Majën e Arithit (1988 m). Shtrihet në të dy krahët e përroit të Dushajve ku natyra piktoreske me ujëvara dhe pyje të bën të harrosh se ndodhesh shumë pranë rrugës kombëtare.
Historianët thonë se fshati njihet që në mesjetë ndërsa treva e Fushë-Bulqizës ka qenë e banuar që në periudhën e Principatës së Arbrit. Për herë të parë në dokumente zyrtare Dushaj gjendet i shënuar si fshat në vitin 1838.
Fshati ka dhënë kontribut në luftërat kundër pushtuesve dhe lëvizjet kombëtare, ndërsa tani njihet si “fshati i kullave”.
Gjatë komunizmit, pjesa më e madhe e banorëve të fshatit ishin minatorë në minierën e kromit në Bulqizë, e cila ishte burimi kryesor i të ardhurave për zonën gjatë asaj kohe.
Tashmë, përveç blegtorisë dhe bujqësisë, fshati ndodhet në listën e zonave me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore (pjesë e “Paketës së Maleve”).
Lugina tashmë është përfshirë e gjitha nga rrezet e diellit – që më në fund ia dolën me shtëllungat e reve – dhe jemi aq lart sa nuk duken më shtëpitë, por vetëm Fushë-Bulqiza në distancë. Shpatet e gjelbëruar që bien thikë mbi fusha krijojnë ndjesinë sikur bota sapo është krijuar.
Zbresim poshtë në lagjen e parë të fshatit e sapo hyjmë në rrethimin e kullës Hupi, nënë Sofien e gjejmë duke mbjellë fidanë të rinj skaj sallatës dhe qepëve të njoma që shkëlqejnë.
Nën hijen e pemëve dhe melodinë e përroit skaj, një çift vizitorësh me fëmijë janë duke drekuar. Lulzimi, si një prej pasardhësve të fisit Hupi, na tregon pak nga historia e kullës.
E shndërruar në bujtinë agroturizmi, kulla ruan tiparet e fortesës që karakterizojnë ndërtimet e vjetra në zonë. Thonë se kulla është djegur tri herë gjatë luftërave në historinë e saj, por është rindërtuar gjithmonë mbi të njëjtët gurë.
Edhe pse me skela në restaurim, dallohen qartë elementet origjinalë mbrojtës, si frëngjitë dhe dhomat e luftës.
Lulzimi tregon se tashmë kulla është bërë e njohur për turistët dhe ai ka prenotime të plota nga qershori në shtator.
“Turistët marrin përvojë autentike të një kulle shqiptare, duke shijuar jo vetëm ushqimin, por edhe mënyrën e jetesës”, tregon ai.
Tashmë që kulla Hupi e ka bërë të njohur fshatin për vizitorët, rruga është e mirë, kryeqyteti është afër, rreth 40 minuta me Rrugën e Arbrit, duket se perspektiva për më shumë ekonomi për banorët e Dushajt është e afërt.
Fshati Dushaj në Fushë-Bulqizë 1 nga 18/r.e/