Dy aksidente në Rrugën e Arbrit, tre të plagosur në aksin Bulqizë–Fushë-Bulqizë

Dy aksidente kanë ndodhur gjatë ditës së sotme në segmentin Bulqizë–Fushë-Bulqizë të Rrugës së Arbrit, duke shkaktuar tre persona të plagosur.
Një prej aksidenteve është regjistruar pranë zonës së Kastratit, ndërsa tjetri në zonën e Pishave. Si pasojë, tre persona kanë mbetur të lënduar, ndërsa një grua është transportuar drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për mjekim më të specializuar. Sipas mjekëve, e plagosura nuk paraqet rrezik për jetën.
Pas aksidenteve, qarkullimi në këtë aks është rënduar ndjeshëm. Fluksi i lartë i automjeteve, i shtuar edhe nga lëvizjet e emigrantëve dhe pushuesve gjatë sezonit veror, ka sjellë trafik të rënduar në Rrugën e Arbrit, veçanërisht në segmentin Bulqizë–Fushë-Bulqizë.
Drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes të shtuar dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit gjatë kalimit në këtë aks.
/rtsh.al/