E Diel, 1 Nëntor 2026

Zjarri në Pukë mbetet aktiv, prefektja Duda: Po punohet për hapjen e rrugës për zjarrfikëset

Në Qarkun Shkodër mbetet ende aktive vatra e zjarrit në malin e Tërbunit e cila është zgjeruar deri në fshatin Gojan të njësisë administrative Gjegjan.

Ndërhyrja vijon si nga toka, ashtu edhe nga ajri, me angazhimin e strukturave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe forcave të tjera në terren.

“Aktualisht vatra më problematike, pra vatra e vetme aktive në qarkun Shkodër është vatra në malin e Tërbunit, aty ku nisi. Situata paraqitet më e qetë, por vatrat më problematike si vazhdimësi e këtij zjarri janë vatrat mbi fshatin Gjegjan dhe mbi fshatin Gojan”, tha prefektja Holta Duda.

Problematikë e hasur gjatë ndërhyrjes ka qenë terreni i vështirë dhe qarkullimi i mjeteve. Për këtë arsye tha prefektja Holta Duda po punohet për hapjen e rrugës dhe krijimin e aksesit për mjetet zjarrfikëse, në mënyrë që ndërhyrja në zonat e prekura të jetë më e shpejtë dhe efektive.

“Është terren shumë i vështirë për t’u arritur nëpërmjet mjeteve zjarrfikëse. Po punohet me hapjen e të gjitha shtigjeve për të realizuar afrimin, le të themi edhe të mjetit zjarrfikës. Forcat tokësore janë të dislokuara tashmë që në që tre ditët e fundit pikërisht pranë këtyre vatrave, por ndërkohë janë pikërisht mbi këto dy vatra që po operohet me dy helikopter nga ajri”, tha ajo.

Rreth 40 efektive si dhe 2 helikopterë janë prej 3 ditësh ne terren në sfidë me flakët e zjarrit. Qëllim mbetet evitimi i rrezikut për banesat, ndonëse dëmi në pyje mbetet i madh.

Gazetare: M. Gjoni

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›