Dy fjalë mbi librin e A. Putos Lufta italo-greke Diktatorë e Kuislingë
Ishte një kureshtje e posaçme ajo që më shtyu të lexoj librin e Prof. Arben Putos Lufta italo-greke Diktatorë e Kuislingë, botimet Toena, 2011. Por, për të qenë plotësisht i hapur, prej këtij libri unë prisja diçka më tepër dhe shpresoja në një objektivitet më të madh, sidomos sot, pas më tepër se gjysmë shekulli që ka përfunduar lufta II botërore.
E drejta ndërkombëtare, lumi i së cilës ushqehet nga shumë burime, ka pësuar një zhvillim të tillë, që nuk pranon më klishetë e vendosura gjatë periudhave të diktaturave, jo vetëm atyre fashiste, naziste por edhe komuniste, tri doktrina që konsideroheshin si doktrina sociale. Në fakt, kjo luftë zgjati për Italinë nga 21 tetori 1941 deri ditën e nënshkrimit të Traktatit të Paqes më 10 shkurt 1947, kurse gjendja e luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë vazhdoi deri më 6 maj 1971, kur u rivendosën marrëdhëniet diplomatike. Tani ndodhemi në vitin 2012, (d.m.th. më se 70 vjet më vonë) dhe pasojat e konsiderimit të Shqipërisë nga Greqia si shtet armik nuk janë zgjidhur ende.
Sidoqoftë, Amicus Plato, sed magis amica veritas (Aristoteli), prandaj leximi i librit të Profesorit tim më shtyn të paraqes disa vërejtje, të cilat në mënyrë të përmbledhur po i parashtroj më poshtë..
Së pari, nga leximi i librit mu krijua përshtypja se autori ka vënë titullin Lufta italo-greke. më tepër për të gjetur një shkak për të shfryrë kundër atyre që ai i klasifikon si bashkëpunëtorë (kolaboracionistë), se sa për të analizuar, në radhë të parë juridikisht, konfliktin italo-grek dhe rrjedhojat e tij.
Së dyti, duke pasur parasysh nëntitullin e librit dhe mendimin e autorit të tij se okupimi i Norvegjisë e nxiste Musolinin të mos mbetej prapa dhe ti thoshte Hitlerit se ai do të bënte në Jug atë që ai kishte bërë në Veri, them se është mirë që, për të pasur një pasqyrë më të qartë të kuadrit historik kur ndodhën ngjarjet e përshkruara në libër dhe pasojat e tyre, para se të kalojmë më poshtë, të fiksojmë dhe të saktësojmë disa data që të mund të bëjmë një vlerësim sa më objektiv të mundshëm.
Qysh në vitin 1935 Italia, udhëheqësi i së cilës, Musolini, ëndërronte të rimëkëmbte Perandorinë e lashtë romake, realizoi pushtimin ushtarak të Etiopisë. Por, ngjarjet kryesore që ndryshuan hartën politike të Evropës filluan në mars 1939 kur Sllovakia, e kryesuar nga J. Tiso, u shkëput nga Çekosllovakia për tu bërë aleate e Gjermanisë. Pa kaluar një muaj, më 7 prill 1939, Italia pushtoi ushtarakisht edhe Shqipërinë, e cila pushoi së qeni shtet më vete dhe u bë pjesë e Mbretërisë së Italisë. Më 9 prill 1940 Gjermania pushtoi Norvegjinë dhe në qershor 1940 Francën. Mbretëria e Kroacisë, e mbështetur nga forcat e Aksit, pati jetë vetëm gjatë periudhës 1941-1945, Dalmacia ishte governatorat italian gjatë periudhës 1941-1943, Bosnja dhe Sllovenia u pushtuan nga fuqitë e Aksit më 6 prill 1941. Rrjedhimisht, nga kjo pikëpamje Musolini ishte treguar më i shpejtë se Hitleri dhe kishte filluar pushtimet qysh në 1935 (Etiopia). Kurse në lindjen e largët, Japonia pushtoi Mançurinë në vitin 1931 dhe në 1932 vuri në krye të shtetit të ri (Mançuku) ish-perandorin King, që nuk ishte tjetër veçse një kukull.
Për sa i përket kolaboracionizmit, kjo është një dukuri jo vetëm shoqërore, por kryesisht politike, e shfaqur në mënyrë të theksuar gjatë luftës së dytë botërore, që konsistonte në ngritjen dhe organizimin, në vendet e pushtuara ushtarakisht, të strukturave në shërbim të pushtuesit, të cilat do të realizonin një lidhje midis pushtuesit dhe popullsisë së vendit të pushtuar. Prandaj, termat kolaboracionizëm e kolaboracionist kanë hyrë në terminologji me një ngarkesë emotive negative, sepse kemi të bëjmë me një ofertë të vetëdijshme për bashkëpunim me një qeveri që përfaqëson interesa të huaja dhe synon të sigurojë funksionimin e aparatit shtetëror në vendin e pushtuar. Si rrjedhojë, shteti i pushtuar nuk mund të jetë tjetër veçse një shtet kukull, por kurrë një shtet më vete. Qeveritë e ngritura në këto vende përbëheshin nga elementë vendas dhe ishin të ngjashme me aparatet normale shtetërore, veçse në këtë rast përfaqësonin më tepër interesat e një shteti tjetër (pushtuesit), i cili ishte i interesuar për funksionimin e një aparati shtetëror për ruajtjen e rendit publik. Dhe, duke qenë se Norvegjia ishte nga vendet e para që u pushtua nga Gjermania, kryetari i qeverisë kukull të këtij vendi, Vidkun Kuisling, u bë prototipi i bashkëpunëtorit me pushtuesin.
Libri i Prof. Putos, që ka 385 faqe (pa përfshirë këtu Kronologjinë e mbledhjeve dhe ndërrimet qeveritare, bibliografinë, treguesin e emrave të njerëzve dhe të vendeve si dhe pasqyrën e lëndës), fillon me portretet e Hitlerit, Musolinit dhe Metaksait për të vazhduar me kapitullin në kërkim të Romës Imperiale (Kap. II). Për përgatitjen e sulmit kundër Greqisë, luftën ndaj saj dhe pushtimin grek të Shqipërisë bëhet fjalë në fq. 37-103 (Kap. III-IV dhe V), ndërsa pjesa tjetër e librit trajton çështje të tjera, që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me titullin e librit, siç ishin kriza qeveritare në Shqipëri (kap. VI), profilet e disa kolaboracionistëve shqiptarë (kap. VII), pushtimi gjerman dhe kolaboracionizmi ndryshe (kap. VIII) dhe Shqipëria në Konferencën e Paqes kap. IX). Siç shihet shumë qartë, problemit të luftës italo-greke i jepet shumë pak vend në këtë libër që mban titullin Lufta italo-greke.
Në libër flitet edhe për fillimet e lëvizjeve kundër Italisë në Shqipëri (fq. 102 e vij.), por mua më krijohet përshtypja se autori e trajton këtë temë me një farë anshmërie. Ndërsa flitet për Konferencën e Pezës dhe zgjerimin e Lëvizjes nacional-çlirimtare, d.m.th. për çlirim kombëtar duke u theksuar se në vendimin e Konferencës së Pezës flitet për krijimin e Frontit si bashkësi forcash pa dallim feje, krahine dhe ideje , nuk thuhet asnjë fjalë për Konferencën e Mukjes, për luftën civile në Shqipëri midis forcave vërtetë nacionaliste dhe atyre të organizuara nga Partia Komuniste, që u krijua dhe udhëhiqej nga Miladin Popoviçi dhe Dushan Mugosha.
Për sa i përket pushtimit të Shqipërisë nga Italia, i cili në kohë është përpara luftës italo-greke, siç pranon edhe Prof. Puto, Ahmet Zogu nuk e njohu asnjëherë atë. Pikëpamjet e mia lidhur me aspektin juridik të gjendjes së luftës midis Greqisë dhe Shqipërisë i kam shprehur qysh gati 30 vjet më parë, në një artikull, në të cilin, duke iu referuar edhe botimit të v. 1970 të veprës E drejta ndërkombëtare publike të A. Putos, theksoja se lufta është një marrëdhënie midis dy (ose më tepër) shtetesh sovrane, subjekte të së drejtës ndërkombëtare dhe, prandaj nuk mund të bëjnë luftë ato shtete që ndodhen në një gjendje vartësie ndaj një subjekti tjetër. A ishte Shqipëria shtet sovran dhe subjekt i së drejtës ndërkombëtare më 28 tetor1940? A mund të quhet një shtet
