E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy fjalë për jetën e amshuar

Ka disa ditë që Bashkia e Tiranës ka hapur një debat për çështjen e varrezave të qytetit, duke propozuar një sistem të ri varrimi dhe një reformë në administrimin e atyre që në gjuhën e përditshme quhen “banesat e përjetshme”. Problemi është ndër më delikatët, pasi bëhet fjalë për të vepruar mbi njerëz që sot nuk mund të ankohen apo mbrohen; ndjenjat e të afërmve të tyre dhe vendin ku asnjëri nuk ka më gjynahe, e të gjithë janë të barabartë.
Kujdesi që duhet treguar në trajtimin e këtij projekti, ka lidhje me respektin ndaj qenies njerëzore. Nuk mund të quhet e qytetëruar një shoqëri që nuk respekton vdekjen, dhe ashtu siç mendon për të gjallët, të mendojë edhe për prehjen pas jetës së ish-pjesëtarëve të saj. Folur në këtë prizëm, ne të gjallët kemi shumë gjynahe. Varrezat e Tiranës janë të mbytura nga pisllëku dhe mbeturinat mbushin rrugicat dhe hapësirat midis varreve. Kush ka mbetur nga punëtoret e pastrimit, mërzen në ndonjë hije; arixhofkat të ndërpresin vajin në mes duke lypur lekë; ndërsa të pastrosh hapësirën nga barishtet, plastmaset dhe lulet artificiale të zbërdhylura që i ka prurë era tek varri i të afërmit tënd, duhet të pajtosh vendalinj që vijnë vërdallë me cap në krah. Edhe një zyrë informacioni që ishte në hyrje, ku mund të pyesje për një varr të caktuar, ka kohë që nuk është më.
Pandjeshmëria jonë ndaj jetës që ikën fillon që nga impakti i parë me vdekjen. Nëse ndodh që i ndjeri të japë shpirt në spital, në korridoret e urgjencës vërtiten përfaqësuesit e shoqërive funerale, që përpiqen të akaparojnë atë që për dikë është dhimbje, ndërsa për ata vetëm punë dhe burim fitimi. Bashkia nuk ka organ kontrolli të testojë shoqëritë funerale dhe cilësinë e standarteve higjienike dhe teknike që ofrojnë. Bëhet fjalë që nga trajtimi i trupit të të ndjerit në orët e para pas vdekjes e deri në varrimin e tij; arkivolet ku vendoset, e nëse këta të fundit janë thjesht prej dërrase, apo edhe me veshje llamarine e valvola shfryrjeje, që trupi të dekompozohet pa pasur kontakt me botën që rrethon. Janë kushte që një shoqëri varrimi duhet t’i plotësojë, dhe bashkia të certifikojë profesionalizmin dhe seriozitetin e tyre. Ky është edhe hapi i parë teknik, pa të cilin nuk mund të fillojë të zbatohet varrimi mural.
Në jetën tonë na ka ndodhur të përcjellim në udhëtimin e fundit të afërm, shokë apo miq, brenda dhe jashtë vendit. Diferenca që kemi është e madhe. Tek ne, shoqëritë funerale nuk kanë dhomë mjekësore ku mund të trajtohet i ndjeri. Asnjëra nuk afron sallë dinjitoze homazhesh. Kjo shkakton që trupi duhet varrosur brenda 24 orëve. Duke vazhduar krahasimin me jashtë, komunat ose bashkitë e fqinjit tonë italian, i cili ka eksperiencë të konsiderueshme në këtë drejtim, kanë një sërë mundësish varrimi. Njëri opsion, dhe ai më i shtrenjti, është blerja e tokës për të ngritur kapela, ose varreza familjare, dhe kjo është ofertë që duhet parashikuar të bëhet nga bashkia për ata që kanë mundësi. Mundësia e dytë është varri në tokë, me kosto më të ulëta se i pari, që gjithashtu duhet ofruar si mundësi kundrejt pagesës. Ndërsa opsioni i tretë, është varrimi mural. Për varrimin mural, është edhe shërbimi mjekësor pranë komunës, i cili kontrollon trupat e të larguarve nga kjo jetë çdo dhjetë vjet, dhe me dekompozimin e tyre i vendos në arka më të vogla dhe në hapësirë më të sistemuar dhe të mbledhur. Pas njëqind vjetësh, për individët të cilët nuk interesohet më njeri, merren eshtrat e tyre dhe treten me metoda kimike.
A është e përgatitur Bashkia e Tiranës të ofrojë gjithë këtë gamë shërbimesh dhe të ngrejë strukturat dhe përgatisë specialistët përkatës? A është në gjendje që të mos molepset nga klientelizmi, korrupsioni dhe monopoli në këtë zhvillim të ri? Të gjitha këto janë pyetje që duhet të marrin përgjigje pozitive, pasi do jetë turp për shoqërinë dhe dhimbje për të afërmit e të ndjerëve, nëse ky projekt aplikohet në mënyrë dështake.
Një aspekt i ndjeshëm është edhe çështja e varrezave ekzistuese. Gjithçka në administrimin e tyre duhet të bëhet në marrëveshje me familjarët e të ndjerëve, pasi ka nga ata që do jenë dakord për murimin, si dhe të tjerë që nuk do ta pranojnë këtë. Ndaj është më e logjikshme që kushtet e reja, sistemi mural dhe procedura e zhvendosjes së trupit, të hyjnë në fuqi pas ligjërimit të kësaj metode. Gjithashtu, për t’iu paraprirë zhvillimeve, duhet parashikuar edhe ndërtimi i krematorëve, pasi nuk do jetë e largët dita që do ketë njerëz që do kërkojnë djegien e trupit të tyre.
Bashkia e Tiranës po ndërmerr një iniciativë revolucionare për mentalitetin shqiptar, të cilit i ka ardhur koha. Por kjo kërkon edhe kujdesin e jashtëzakonshëm në realizimin e projektit. Poeti grek Nikos Kazanzaqis, në epitafin e varrit ka të shkruar: “Nuk shpresoj asgjë. Nuk kam frikë asgjë. Jam i lirë”. Në thelb është ajo që ofron vdekja. Le të bëjmë që me kujdesin tonë t’iu afrojmë të dashurve tanë që kanë ikur nga kjo jetë, mundësinë që të jenë të respektuar dhe pa kërcënuar në amshimin e tyre.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›