E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy karikaturistë kosovarë në Qipro

Strip artisti kosovar Gani Sunduri dhe karikaturisti Agim Krasniqi-Kragi prezantojnë Kosovën në Qipro.

Me ftesën e bërë nga Arif Albayrak, kryetar i Shoqatës së Karikaturistëve të Qipros, dy artistët kosovarë, prej datës 17 deri më 26 gusht, do të marrin pjesë në festivalin e 5-të ndërkombëtar të takimeve të karikaturistëve botërorë në Qipro.

Përgjatë ditëve të festivalit artistët kosovarë do të prezantojnë stripin dhe karikaturën me nga 15 punimet e tyre, ku edhe do të jenë pjesëmarrës në të gjitha aktivitetet e punëtorive dhe do të kenë një panel të posaçëm për prezantimin e Shoqatës së Strip Artistëve Kosovarë `Xhennet comics` dhe të Festivalit Ndërkombëtar të Stripit dhe Karikaturës `Prizreni 2012`, që do të mbahet më 8 shtator në Prizren.

Në festivalin e 5`të ndërkombëtar të takimeve të karikaturistëve në Qipro, sipas organizatorëve, përveç artistëve kosovarë do të jenë prezentë rreth 180 artistë nga 41 vende botërore.

Sipas Sundurit, kjo ftesë pasqyron edhe suksesin e festivalit që mbahet në Prizren dhe kjo është një nga mundësitë e njohjes të shumë artistëve botërorë si dhe të bashkëpunimit për një të ardhme më të suksesshme.

“Do të jemi me mese 180 artistë nga 41 shtete botërorë, do të kemi mundësi që të krijojmë ura lidhëse dhe prezantuese. Këtë vit Shoqata e Strip Artistëve Kosovarë `Xhennet comics` ishte pjesëmarrëse në katër festivale botërore të stripit dhe karikaturës dhe pas organizimit të festivalit që do të mbahet në shtator në Prizren, organizatorët janë të ftuar edhe ne dy festivale botërore”, tha Sunduri, i cili është kryetar i `Xhennet comics`.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›