Dy kryediplomatët Lavrov e Fabius diskutojnë për Sirinë
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, takohet sot në Moskë me homologun francez, Laurent Fabius, për të diskutuar rezolutën eventuale të Kombeve të Bashkuara për Sirinë.
Rusia dhe fuqitë e tjera kanë shprehur qëndrime të ndryshme për formulimin e tekstit të rezolutës, e cila i bën thirrje Sirisë që të dorëzojë armët kimike.
Bisedimet në Moskë pasojnë marrëveshjen SHBA-Rusi, e cila i kërkon Damaskut që të shkatërrojë armatimin kimik deri në mes të vitit 2014.
Bisedimet po ashtu vijnë pasi një raport i OKB-së ka konformuar përdorimin e armëve kimike në një sulm pranë Damaskut, muajin e kaluar.
Britania, Franca dhe Shtetet e Bashkuara thonë se raporti nuk ka lënë asnjë dyshim se qeveria është përgjegjëse.
Megjithatë, Rusia thotë se ai nuk përmban indikacione të qarta se kush është fajtor dhe se përgjegjësia e rebelëve nuk duhet të përjashtohet.