E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dy muaj në paraburgim, Veliaj: Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka publikuar përmes rrjeteve sociale nga qelia e paraburgimit në Durrës, në ditën që shënon dy muaj nga ndalimi i tij.

Veliaj thekson se ndodhet ende i burgosur pa një akuzë konkrete dhe pa një përballje gjyqësore.

“Sot mbushen 2 muaj nga burgimi im pa gjyq – larg familjes, gruas, djalit të vogël dhe nënës. Por, edhe larg punës në bashki e fushatës, dy pasioneve të jetës sime. Doja vetëm t’ju falënderoja për mirësinë e mbështetjen ndaj Kait dhe Ajolës, si dhe dy nënave tona – 3 gra pa burrat e tyre, por me kurajë e dinjitet falë jush që u jeni gjendur pranë,” shkroi Veliaj në rrjetet sociale.

Teksa ka falënderuar të gjitha ata që kanë mbështetur familjen e tij në këtë periudhë, Veliaj tha se qëndron i burgosur ende pa akuzë.

“Jam ende pa akuzë prej një anonimi që nuk ekziston. S’ka dalë askush që të kem korruptuar. Ende askush që të më ketë korruptuar. Kush më njeh e di që në çdo ditë të punës time kam ndihmuar këdo, kudo e kurdo me ndershmëri,” shtoi kryebashkiaku.

Po ashtu, Veliaj theksoi se i është ndaluar që të japë opinione mbi procesin e tij gjyqësor, që ai e quan “grotesk”.

Gazetare: Bjolanda Cuku

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›