E Hënë, 2 Nëntor 2026

Macron: Franca drejt njohjes së shtetit të Palestinës, mund ta shpall në qershor

Presidenti Emmanuel Macron ka deklaruar se Franca mund të njohë shtetin palestinez në muajt e ardhshëm.

Macron tha se shpresonte që duke njohur shtetësinë palestineze në një konferencë në qershor, që Franca po bashkëorganizon me Arabinë Saudite, duke shtyrë për një zgjidhje me dy shtete, pjesëmarrësit që nuk e njohin zyrtarisht Izraelin do ta bënin këtë.

“Ne duhet të shkojmë drejt njohjes dhe do ta bëjmë këtë në muajt e ardhshëm”, tha presidenti francez.

 “Unë nuk po e bëj për unitet, apo për të kënaqur këtë apo atë person. Po e bëj sepse në një moment do të jetë e drejtë,” tha ai.

Komentet e Macron vijnë pasi Izraeli rifilloi bombardimet e tij në Rripin e Gazës muajin e kaluar, kur një armëpushim dy-mujor mori fund dhe bisedimet për armëpushim u prishën midis Izraelit dhe grupit militant Hamas.

Izraeli që atëherë ka ndaluar dërgimin e ndihmave humanitare në enklavën palestineze.

Komentet e Macron erdhën në fund të një udhëtimi tre-ditor në Egjipt, gjatë të cilit ai vizitoi një spital që trajtonte palestinezët në qytetin El Arish, pranë kufirit me Gazën.

“Dua të besoj në paqe; sot konflikti është intensifikuar dhe është i tmerrshëm… Që nga 2 marsi, nuk ka asgjë që hyn në Rripin e Gazës – as ujë, as ushqim, as ilaçe dhe asnjë nga të plagosurit nuk po del jashtë”, tha Macron.

Por i menjëhershëm ishte reagim i ministrit të Jashtëm izraelit Gideon Sa’ar në X, i cili shkruan.”Një ‘njohje e njëanshme’ e një shteti imagjinar palestinez, nga çdo vend, në realitetin që ne të gjithë e dimë, do të jetë një çmim për terrorin dhe një nxitje për Hamasin. Këto lloj veprimesh nuk do të afrojnë paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajonin tonë – por e kundërta: ato vetëm i shtyjnë ata më larg”.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›