Dy salla në Kuvend marrin emrat e Bashkim Finos dhe Gerti Bogdanit, Spiropali: Politikanë me integritet të lartë

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Kryeparlamentarja Elisa Spiropali njoftoi sot në nisje të Kuvendit se dy salla në Parlament do mbajnë emrat e politikanëve të ndjerë, Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani.
Të pranishëm në sallë ishin edhe familjarët e tyre.
Spiropali u shpreh se, “Bashkim Fino dhe Gerti Bogdani ishin dy politikanë aktivë dhe me integritet të lartë, prindër, bashkëshortë, bij dhe vëllezër model që frymëzojnë me kontributin, dashurinë dhe miqësinë që na kanë dhënë të gjithëve”.
“Ishte kjo arsyeja e vendimit për të emërtuar këto dy salla me emrat e tyre”, theksoi Spiropali.
“Bashkim Fino ishte një politikan që është dalluar për urtësinë, energjitë dhe përkushtimin në shërbimin ndaj vendit. Kryeministër i Shqipërisë gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit në vitin 1997. Disa herë ministër, zv/kryeministër dhe deputet i PS-së në të gjitha legjislaturat që nga zgjedhjet e korrikut 1997 deri në zgjedhjet e 2017-ës. Si deputet ka kontribuuar në hartimin e disa prej reformave më të rëndësishme në vend”, tha ajo.
“Gerti Bogdani ishte një ndër politikanë më të rinj dhe më të talentuar të Shqipërisë. Një drejtues i respektuar dhe i kudogjendur në qeverisjen vendore në Tiranë. Deputet i kuvendit në dy legjislatura 2009, 2017 për PD-në që i dha dinjitet e hijeshi Kuvendit me figurën dhe përfaqësimin ekselent. I njohur ndërkombëtarisht për kontributin politik për vlerat që mishëroi e jetësoi në veprimtarinë e tij politike në shërbim të vendit dhe të njerëzve”, tha Spiropali.
“Respekt, nderim dhe mirënjohje për emrin dhe kontributin e tyre”, theksoi Kryeparlamentarja. /j.p/
1 nga 13