E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Peleshi-Nokës: SHBA aleat strategjik i përhershëm, oferta jonë Shqipëria në BE-së brenda 2030-ës

TIRANË, 27 shkurt /ATSH/ Në seancën e sotme plenare, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, replikoi me deputetin e Partisë Demokratike, Flamur Noka.

“Padyshim që ka zhvillime në botë gjeopolitika, marrëdhëniet ndërshtetërore, ndërekonomike të shteteve. Shpresojmë që gjërat po shkojnë për mirë për botën. Shpresojmë të ketë më shumë paqe, por mund të ketë dhe luftëra diku. Tani ju ku hyni këtu? Ti Flamur ku hyn këtu”, iu drejtua Peleshi – Nokës.

“Keni ngelur pa ofertë. Keni ngelur pa tekst. Vini këtu dhe përsërisni edhe komentoni ngjarje që ndodhin përtej kufijve tanë, përtej oqeanit etj”, tha Peleshi.

“Meqë na pyete në raport me aleatin tonë strategjik Shtetet e Bashkuara, po ta rikonfirmoj, Partia Socialiste e Shqipërisë, qeveria shqiptare, shteti shqiptar, ka aleat strategjik të përhershëm SHBA-të, të cilët kanë një rëndësi ekzistenciale për Shqipërinë, ndaj kjo aleancë do të vazhdojë të jetë padyshim udhërrëfyes dhe e para në axhendën tonë të marrëdhënieve ndërkombëtare. Këtë nuk e ndryshon asgjë”, tha Peleshi.

“Ne jemi në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian gjithashtu. Një partner gjithashtu strategjik”, shtoi Peleshi.

“Oferta jonë është, Shqipëria anëtare e BE-së brenda vitit 2030”, tha Peleshi, duke shtuar se, “nëse doni që këtë ta vendosim dhe në kontekstin e zhvillimeve ndërkombëtare. Meqë po fryn një erë pragmatizmi në botë ne duhet të bëhemi pragmatist dhe të përfitojmë shanset që na ofron një përshpejtim që BE me shumë gjasa do t’i bëjë procesit të zgjerimit, ku Shqipëria është në rreshtat e parë”.

“Nuk vihet dot në pushtet pa fituar zgjedhjet. Nuk ka sistem tjetër, ky është sistemi që e kemi votuar së bashku që është sistemi i vetëm, kush fiton zgjedhjet vjen në pushtet”, tha Peleshi.

Duke folur për aktet normative në rendin e ditës, Peleshi u shpreh se, shpreson që opozita deri në fund të ditës të ndryshojë mendim dhe të votojë pro shtyrjes së afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit të shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit.

“Ky pr/ligj i hap rrugën 520 mijë shqiptarëve me dokumente të skaduara të votojnë. Ju jeni kundër aq më keq për ju. Ne i kemi votat do ta votojmë. Të gjithë që janë regjistruar do të votojnë më 11 maj për PS-në”, tha Peleshi. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›