Dy shtetas të zhdukur në prill; ja emrat e të dyshuarve që mund t’i përkasin mbetjet kockore të gjetura në Xarrë

Zbulimi i mbetjeve njerëzore në fshatin Xarrë të Sarandës, ka ngritur dyshime se mund ti përkasin trupit të njërit prej dy të zhdukurve që nga data 7 prill e këtij viti: Fatmir Sulovari dhe Leonard Thodhdori .
Këtë të mërkurë, mbetjet janë dorëzuar në morgun e qytetit të Sarandës në pritje të ekspertizës mjeko-ligjore nga specialistë nga Tirana, ekspertizë e cila do të bëjë të mundur identifikimin. Sipas policisë pjesa e gjetur është koka e cila duke qenë se ka ende inde të buta dyshohet se ka lidhje me ngjarjen e muajve të fundit.
Mbrëmjen e së martës policia e Sarandës zbuloi pjesët e trupit, në afërsi të varrezave të fshatit Xarrë në Konispol. Trupi ishte i groposur, por jo i dekompozuar plotësisht.
Leonard Thodhori dhe Fatmir Sulovari rezultojnë të zhdukur prej 5 muajsh dhe ende nuk dihet fati i tyre. Një ditë para zhdukjes së tyre, në 6 prill Fatmir Sulovari kishte shkuar për të takuar Leonard Thodhorin që banonte në fshatin Çukë. Familjarët e tyre dyshojnë se mund t’i kenë rrëmbyer persona me të cilët kishin konflikte për çështje pronash.
Ndërkohë të dy të zhdukurit rezultojnë me precedent penale. Leonard Thodhori, i dënuar disa herë, rezulton si i dyshuar si pjesëmarrës në Masakrën e Qafë-Gjashtës në vitin 1997 ku u vra oficeri i policisë Gjergj Mehmeti. Ndërsa në vitin 2003 ka qenë prezent ne automjetin që drejtohej nga Andrea Gjini para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.
Fatmir Sulovari ka qenë i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje” dhe “plagosja e lehtë me dashje”. Ai gjithashtu është arrestuar në vitin 2022, pasi iu gjet drogë në makinën e tij.
