E Diel, 1 Nëntor 2026

Dy të akuzuarit serbë pranojnë fajësinë për barrikadat në veri

PRISHTINË, 31 gusht /ATSH/ Kanë pranuar fajësinë dy nga gjashtë të akuzuarit për rastin e barrikadave në veri të Kosovës, Dushan Dobraç dhe Millosh Radosavljeviç.

Gjykatësi Rrahman Beqiri deklaroi se kjo është arritur përmes një marrëveshjeje mes të akuzuarve dhe Prokurorisë Speciale. Sipas tij, kjo marrëveshje është arritur me vullnet të lirë dhe pa nxitje.

Beqiri tha se pranohet marrëveshja për pranimin e fajësisë.

“Pasi kryetari i trupit gjykues të ketë konstatuar se i pandehuri e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë, pranimi është bërë vullnetarisht, në konsultim me mbrojtësin e tij/herë, dhe pas sqarimeve të mjaftueshme edhe nga ana e gjykatës me vullnet të plotë pas nga i dëmtuari etj. Po ashtu, pranimi mbështetet në faktet e çështjes, respektivisht provat e bashkangjitura në akuzë, të cilat nuk ekzistojnë në rastet që të pengojnë gjykimin penal. Andaj, me nenin 247, paragrafi 122, gjykata nxjerr aktvendim: pranohet marrëveshja për pranimin e fajësisë”, tha gjykatësi.

Avokatët e të akuzuarve, Mahmut Halimi dhe Boban Petkoviç thanë se nuk kundërshtojnë marrëveshjen,  ashtu siç deklaruan edhe të akuzuarit.

Gjykata do të marrë vendimin se sa do të dënohen të akuzuarit sot në orën 11:30.

Ndërsa për katër Dushan Maksimoviq, Nemanja Joloviç, Srdjan Vuçiniç dhe Nenad Orloviç, Gjykata vendosi të mbajë seancën e radhës më 17 shtator në ora 09:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 10 qershor 2026 ka ngritur ndaj Dushan Maksimoviq, Milosh Radosavljeviq, Nemanja Joloviq, Dushan Dobrac, Sërgjan Vuçiniq dhe Nenad Orloviq, për vepra penale kundër rendit kushtetues- saktësisht barrikadimin e rrugëve më 2022 në Komunën e Zveçanit. Aktakuza thotë se grupi kriminal u udhëhoq nga Milan Radoiçiç.

/KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›