E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dy të vdekur në Lezhë-Shkodër, makina përplaset me kamionin

LEZHË- Aksident tjetër me pasojë vdekjen në rrugët e vendit. Dy persona humbën jetën teksa makina me të cilën udhëtonin u përplas me një kamion.
Ngjarja e rëndë ndodhi në kryqëzimin e Gjadrit në aksin Shkodër-Lezhë dhe viktimat janë të dy pasagjerë të automjetit tip BMW.
Sipas policisë, që ka mbërritur në vendin e ngjarjes, makina ka dashur të parakalojë kamionin, por në tentativë e sipër është marrë përpara nga mjeti i rëndë.
Pasagjerët kanë gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërkohë që policia po heton për shkaqet e ngjarjes. Vetëm një ditë më parë u shënuan 5 viktima në vend, për shkak të aksidenteve.


Aksidentet, policia arreston dy autorët

KAVAJE- Policia e Kavajës arrestoi dy personat e dyshuar si shkakëtarë për dy aksidentet rrugore, me pasojë vdekje që ndodhën një ditë më parë në këtë rreth.
Burime nga policia lokale bënë të ditur sot se shërbimet e policisë rrugore arrestuan shtetasin Idajet Patoshi, 44 - vjeç, lindur dhe banues në Kavajë, me akuzën e "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor".
Patoshi, duke qarkulluar në krah të kundërt në segmentin rrugor Kavajë - Durrës, në afërsi të fshatit Qerret, me automjetin tip kamion Man, u përplas me një automjet tip Golf.
Për pasojë gjetën vdekjen tre nga katër personat që udhëtonin me mjetin "Golf", Çelnik Dashi, Fatjona Alliu, dhe shtetasia Gëzime Alliu, me banim në Librazhd. Ndërsa, Fatmir Alliu, 58 vjeç, pësoi dëmtime të rënda në trup dhe aktualisht ndodhet i shtruar në spitalin e Durrësit, jashtë rrezikut për jetën.
Po nga shërbimet e policisë rrugore në Kavajë u arrestua për veprën penale të "shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor" shtetasin Besmir Biba, 23 - vjec, lindur dhe banues në Lezhë.
Bëhet e ditur se, 23 vjeçari, duke qarkulluar në aksin rrugor Rrogozhinë - Durrës, me një automjet tip Rover, ka humbur kontrollin e drejtimit të mjetit dhe duke dalë në krahun e kundërt të rrugës u përplas me një automjet tip Benz, drejtuar nga shtetasi Edmond Haka, 21-vjeç.
Si pasojë, gjeti vdekjen shtetasi Amarildo Lleshi, 21 - vjec, banues në Kavajë, i cili ndodhej pasagjer në automjetin tip Benz ndërsa u dëmtua shtetasi Gëzim Merkja, 22 - vjec, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Çështjet ndaj këtyre personave, sipas burimeve policore, i kaluan për hetime të mëtejshme prokurorisë së Kavajes.

Aksidentet, 5 të vdekur në Fier e Kavajë

Aksidentet kanë marrë sërish jetë njerëzish. Pesë të vdekur dhe pesë të plagosur është bilanci i 24 orëve të kaluar në tri aksidente të ndodhur në qytetin e Fierit dhe në Kavajës. Shkak për ngjarjet dyshohet të ketë qenë shpejtësia e automjeteve, mungesa e ndriçimit në rrugë, si dhe pakujdesia, ndërkohë që viktimat në Fier, në të dy aksidentet e ndodhura kanë qenë babë e bir. Ndërkohë, në aksidentin e ndodhur në Kavajë me tre viktima, vetëm dy prej tyre ishin identifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes.
Aksidentet në Fier
Ka qenë ora rreth 23:30 e mbrëmjes së të martës kur në afërsi të Qenasit, rreth 2 kilometra nga qyteti i Fierit, automjeti i drejtuar nga Xhevit Arapi është përplasur me një bordurë betoni dhe më pas ka përfunduar në një kanal. Shkak për humbjen e kontrollit të automjetit mësohet të ketë qenë dalja para "Benz"-it e një biçiklete. Për shkak të mungesës së ndriçimit në rrugë, biçikleta është parë nga drejtuesi vetëm në sekondat e fundit. Duke dashur të evitojë përplasjen, drejtuesi i saj ka kthyer timonin, por ka humbur kontrollin e makinës. Automjeti është përplasur me një bordurë e më tej ka përfunduar në kanal. Si rrjedhojë kanë gjetur vdekjen 50-vjeçari Xhevit Arapi, por edhe djali i tij 23-vjeçar Ledion Arapi, ndërsa është plagosur drejtuesi i biçikletës. Megjithëse dyshohet se shkak për përplasjen e fuqishme ka qenë shpejtësia, mungesa e ndriçimit në rrugë ka bërë të vetën. Kështu, teksa oficerët e policisë gjyqësore dhe ekspertët kryenin veprimet në vendngjarje, një automjet që shkonte në drejtim të Fierit, për shkak të errësirës është përplasur me një nga makinat e policisë, ndërsa kjo e fundit ka goditur dhe dy të tjerë. Por fatmirësisht pa pasur pasoja në njerëz.
Disa orë pas aksidentit të parë, tre anëtarë të një familjeje kanë mbërritur në spital. Familja e Qemal Bushit, e përfshirë në aksident po vinte nga Greqia në drejtim të Fierit. Në vendin e quajtur "Kthesa e Patozit", makina është përmbysur si pasojë e humbjes së kontrollit. Kështu ka mbetur i plagosur Qemal Bushi, 36 vjeç, djali i tij 6-vjeçar Marigleni dhe një 48-vjeçar që ndodhej në automjet. Babë e bir ndodhen në reanimacion.
Aksidenti në Kavajë
Rreth orës 13:40 një karambol i ndodhur në aksin Kavajë - Durrës i ka marrë jetën 3 personave që ndodheshin në bordin e një mjeti tip "Golf" me targa greke i cili u përplas me një autobot të Kavajës që udhëtonte në kah të kundërt me të. Ndërkohë një person ka mbetur i plagosur. Mësohet se viktimat janë Çelik Dashi, 31 vjeç, Fatjona Alliu, 27 vjeçe, ndërsa e paidentifikuar deri në orët e vona të mbrëmjes ishte një grua rreth të 50-tave. Ndërsa i plagosur ka mbetur shtetasi Fatmir Alliu. Mësohet se fatkeqësia ka ardhur si pasojë e përplasjes së automjetit ku udhëtonin tre viktimat me një autobot, i cili ishte nisur për të dërguar ujë pranë lokaleve të shumta të zonës së plazhit. Viktimat ndodheshin në "Golf" së bashku me një person të katërt që i shpëtoi vdekjes. Policia ka bërë përpjekje të mëdha për të nxjerrë nga makina trupat e viktimave pasi automjeti i tyre ishte deformuar keqazi. Ekspertët e policisë rrugore kanë deklaruar pas ngjarjes dhe kontrollit të rrethanave të ngjarjes se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe tejkalimit të normave të lejuara të shpejtësisë. Fillimisht policia ka pasur vështirësi për identifikimin e viktimave pasi nuk kishin as dokumente, por një person që ka mbetur i plagosur, Fatmir Alliu, nga Librazhdi, pas ndihmës së dhënë mjekësore, ka arritur që të komunikojë dhe të japë emrat e dy prej viktimave që kishin humbur jetën, kurse për personin e tretë u shpreh se nuk kishte dijeni kush ishte.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›