Dy të vërtetat dhe Wikileaks-i
Koha ka treguar se në politikën e ditës, në interpretimet politike, por dhe jo të tilla, tek ne kemi gjithmonë dy të vërteta për të njëjtën ngjarje. Shumëkush do të thoshte se ska asgjë të keqe, asgjë për tu shqetësuar për këtë fenomen. Përkundrazi.
Në kushtet e lirisë së mendimit, interpretimi i fenomeneve nga këndvështrime të ndryshme është dhe mbetet një vlerë e shoqërisë së lirë. Njerëzit kanë subjektivitetin e tyre, formimin shoqëror e kulturor që i dallon e për pasojë që i drejton në një analizë e përfundim të dhënë.
Por sidoqoftë, ajo çka do të duhej të përbënte shqetësim për këdo është standardi i mirëpranuar tashma tek ne i dy të vërtetave për të njëjtin fenomen apo ngjarje.
Tepër e lehtë është kjo të vërehet në politikën tonë.
Raporti i OSBE/ODIHR për zgjedhjet është një shembull tipik i dy të vërtetave. Mazhoranca thekson se raporti vlerëson si asnjëherë transparencën dhe konkurrencën në zgjedhje e për pasojë, sipas saj, zgjedhjet vendore shënuan kulmin e suksesit të garave elektorale pas 90-tës.
Opozita, pas leximit të të njëjtit raport e miratimit të tij, pa asnjë ekuivok, i cilëson zgjedhjet si vjedhje e radhës.
Gjendja dhe zhvillimi ekonomik i vendit trajtohet nga mazhoranca si shembulli pozitiv për Europën e më tej. Opozita ka kohë që flet për krizë ekonomike, ulje të standardit të jetesës dhe papunësi në rritje.
Do të ishte bezdi për çdo lexues që të vijohej më tej me shembuj të tjerë se si tek ne, e njëjta ngjarje, i njëjti fenomen, është edhe negativ edhe pozitiv; edhe i dobishëm edhe i dëmshëm; edhe i drejtë edhe i gabuar; edhe i vërtetë edhe i gënjeshtërt etj. Por ajo që duket se po i vë kapakun kësaj farë tendence është interpretimi që po i bëhet nga media, opinionistët, politikanët e zyrtarët e rangjeve të ndryshme, kabllogrameve të Wikileaks-it.
Është qesharake, por e vërtetë. Edhe Wikileaks-i tek ne po lexohet dhe vlerësohet sipas standardit të dy të vërtetave. Shikoni gazetën e qeverisë, pra RD. Pothuaj asnjë koment direkt për atë që çdo ditë, përmes kabllogrameve, amerikanët e ambasadës në Tiranë, nudo po na bëjnë me dije, se si e kanë vlerësuar aktivitetin e saj. Nga larg, mediat pro qeveritare përpiqen e qëmtojnë në të lajme që flasin diku për G.Ruçin e diku për B.Blushin apo P.Majkon.
Po të lexosh këto ditë tërë shtypin proqeveritar e ke të vështirë të gjesh aty lajme me burim Wikileaks-in. Lexoni K.Jonë; Standard ; Panorama ; 55, për të mos thënë vetë RD. Shikoni se me çfarë merret në TV Klan i madhi Fevziu në emisionin Opinion. Flet për operacionet plastike , për dashurinë e për çfarë tjetër, por asnjë fjalë për cunamin Wikileaks. Dhe kjo ka shpjegimin e vet. Në pamundësi të shpërdoret burimi në fjalë, atëherë e vetmja rrugë është gjoja injorimi i këtij burimi informacioni. Kësaj i thonë të mbulosh diellin me shoshë.
Ndonëse në asnjë vend të botës nuk janë vënë në dyshim të vërtetat e shpallura në Wikileaks, tek ne ndodhi edhe çudia e radhës. Një ministër, qoftë ai që është, si Olldashi pati kurajon të hedhë poshtë denoncimin që i bëhet për aferën e Rrugës së Kombit dhe tunelit të saj. Në raste të tilla sdi njeriu i shkretë se çështë më mirë. Të heshtë apo të flasë. Në të tilla raste, thuhet se Zoti më mirë të të mbyllë gojën, se sa të të lërë të thuash budallallëqe. Askush nuk eshte i perjashtuar nga folurit pa kuptim, nga te thenit budallallëqe. Fatkeqësi e madhe është ta bëjmë atë solemnisht, ka thënë një i urtë.
Ndoshta në një nga ditët që vijnë do të jemi dëshmitarë të interpretimit të Wikileaks-it edhe nga ana e L.Bashës. Të shohim. I vetmi që nuk do të dëshironte të prononcohej drejtpërdrejt për të vërtetat e Wikileaks-it ska dyshim që është Berisha. Sidoqoftë le të presim. Wikileaks-i sapo ka hapur faqet e para për Shqipërinë.
Nga ana e saj media opozitare dhe ajo e pavarur, e posaçërisht , gazetat TEMA; Shqip; Shekulli etj, apo stacionet televizive Top Channel dhe Vizion + publikojnë çdo ditë e më shumë pikërisht ato materiale, ato kabllograme që e nxjerrin qeverinë lakuriq para shqiptarëve veçanërisht në farsën e luftës kundër korrupsionit. Kjo ka shumë rëndësi për të kuptuar se cila është e vërteta, pasi ne shumë gjëra i besojmë më shumë e më mirë kur na e thonë të tjerët se sa kur e themi vetë .
Është rasti, sikundër edhe po vërtetohet, që opozita e pse jo edhe të paanshmit, të verifikojnë qëndrimet e tyre për ngjarje dhe fenomene të caktuara. Është interesante se mjaft opinionbërës që kanë qenë kritikë apo thellësisht kritikë ndaj qeverisë Berisha në ngjarje si zgjedhjet e vitit 2009, ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës, fatkeqësinë e Gërdecit, revoltën e vrasjet e 21 janarit etj. si z.Baze; Zaloshnja; Krasniqi; Bushati; M.Nano; Vangjeli e mjaft të tjerë, kanë rastin të konfirmojnë vërtetësinë e qëndrimeve të tyre. Dhe kjo nuk është pak në këtë mjedis armiqësor qeveritar ndaj fjalës dhe të vërtetës.
Pra, sipas meje, me gjithë përpjekjet tradicionale për të vijuar me standardin e dy të vërtetave, duket sheshit se Wikileaks-i po e thyen, po e shpartallon këtë traditë. E vërteta lakuriq duket se është më e fortë se gjithçka.
Dhe një kontribut e pse jo, mësim tjetër, nga Wikileaks-i. Mjaft personazhe, disa politikë, disa qeveritarë e të tjerët mediatikë duket se ndodhen në një siklet të madh me të vërtetat që ditë për ditë po dalin sheshit dhe që lidhen edhe me opinionet e tyre personale të shprehura, sipas rastit, pranë ambasadës amerikane. Ne sot po njihemi me opinionet e tyre personale për Berishën, për Ramën, për kolegët e tyre ministra, gazetarë e biznesmenë, për fenomene dhe vendime të politikës, të gjyqësorit etj.
Mirë apo keq, ky është tjetër problem. Ajo që është për të ardhur keq është fakti se në shumë e shumë raste opinionet publike të këtyre individëve dallojnë dhe ndryshojnë thelbësisht nga opinionet dhe qëndrimet e tyre personale që ne tashma i shohim të publikuara në Wikileaks.
Të ndodhur në një situatë të tillë, aspak të favorshme dhe shumë kompromentuese, këta individë masivisht kanë preferuar deri tani të heshtin. Ndonjëri, si z.Olldashi, me guximin karakteristik të politikanit qeverisës të Shqipërisë, informon publikun se asgjë nuk është e vërtetë nga ato që shkruhen për atë dhe që e kompromentonjnë rëndë.
Shumë shpejt ne do të jemi dëshmitarë që edhe persona të tjerë do të përpiqen të na sqarojnë për dualitetin e mendimeve dhe vlerësimeve të tyre, duke u përpjekur të na bindin për të vërtetën. Në të tilla raste, autorëve do tu duhet të mbajnë mend ndryshimet ndërmjet dy të vërtetave që na kanë servirur në kohë të ndryshme. Dhe kjo nuk është aspak e lehtë.
Mark Tueni i madh ka thënë: – Nëse thoni të vërtetën, ju nuk keni pse të mbani mend asgjë.
