E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova sot e mundi Serbinë

05-09-2011 / Nga Shpend Krasniqi

Çfarë e bën të veçantë vizitën e presidentit hondurian Porfirio Lobo de Soza në Kosovë?

Në fakt kjo duket një pyetje krejt e zakonshme, sa kohë që dy vendet nuk kanë marrëdhënie ekonomike apo të një lloji tjetër. Pra, kjo vizitë nuk është shprehje e ndonjë niveli të caktuar të marrëdhënieve politike, ekonomike, etj, të cilat kulmojnë me një vizitë të nivelit kaq të lartë. Janë ndërkohë disa elemente që e bëjnë këtë vizitë të veçantë dhe historike. Me përjashtim të presidentëve amerikanë dhe të atyre të rajonit, Kosovën nuk e kanë vizituar krerë shtetesh nga vende të tjera. Në këtë kuptim kjo është vizita e parë në llojin e vet, aq më tepër e para e një presidenti nga vendet e Amerikës Qendrore.
Kjo vizitë është vijim i një njohjeje gati spektakolare të Kosovës nga ana e Hondurasit. Shtatori i 2010 ishte muaji i betejës së Kosovës me Serbinë në OKB në lidhje me rezolutën dhe procesi i njohjeve kishte pësuar një ndalim të përkohshëm. Samiti i OKB-së ishte shndërruar në një rast të mirë për Serbinë për të frenuar njohjet nëpërmjet takimeve të të gjitha niveleve.
Pikërisht kur ministri i Jashtëm hondurian po takohej me homologun serb, zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, asokohe vetëm president i AKR-së, vendos të zhvillojë një tur lobimi në vendet e CARICOM-it dhe të Amerikës Qendrore. Koincidencë ose jo, në momentin kur po zhvillohej takimi i dy ministrave të jashtëm, presidenti Soza takohet me Pacollin. Dhe në bisedë e sipër, presidenti sipas disa burimeve tenton të konsultohet me ministrin e vet të Jashtëm që i sugjeron ta refuzojë njohjen e Kosovës. Mes tyre duhet të ketë pasur ndonjë lloj debati, pasi siç u konfirmua sot, dikur Presidenti i vendosur ta njohë Kosovën përplas grushtin në tavolinë dhe thotë: Io so el Presidente. Njohja firmoset në një shkresë të konceptuar nga zyra e Presidentit. Kosova e mundi Serbinë në atë rast. Por Kosova e mundi Serbinë dhe sot me vizitën e presidentit të Hondurasit. Ajo tregoi si atëherë se ndërsa lobimi serb në kanalet institucionale zhvillohej nëpërmjet ministrave më së shumti, lobimi i Kosovës zhvillohej në nivel të presidentëve. Edhe sot vizita e presidentit Soza është dëshmi se ajo njohje e shtatorit nuk mbeti një akt formal, por Hondurasi donte të bënte dhe një gjest tjetër të njohjes së Kosovës si shtet. Solli një delegacion me dy ministra, por jo vetëm. Në delegacionin e Hondurasit bënin pjesë dhe figura politike të Nikaraguas, Salvadorit dhe Guatemalës, dëshmi se presidenti i Hondurasit është i angazhuar për njohjen e Kosovës edhe nga vendet e tjera.
Kosova e mundi Serbinë dhe ajo sot duhet të ndihet keq dhe për një arsye tjetër. Presidenti i Hondurasit takohet edhe me krerët më të lartë të Shqipërisë, të cilët i dhanë vizitës së tij karakter zyrtar. Dhe më në fund dhe një element tjetër i fitores së Kosovës mbi Serbinë.
Sot në vigjilje të takimeve të lidhura me Samitin e OKB-së në Njujork, Hondurasi është një vend nën ndikimin e lëvizjeve të majta, apo dhe të Rusisë. Presidenti Soza ka kryer një pjesë të studimeve të veta në Universitetin Lumumba të Moskës. Por argumentet e Kosovës ndikuan tek ky njeri i cili gjatë qëndrimit në Kosovë, ka përsëritur vazhdimisht se Kosova është një çështje e lirive dhe të drejtave të njeriut. Kosovës nuk i bëhet dhuratë duke e njohur, por njohja e saj është një detyrim që ky vend të jetojë i lirë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›