Dy thesare monedhash janë gati për ekspozim
Dy thesare monedhash të zbuluara para disa muajsh gjatë një ekspedite arkeologjike në amfiteatrin antik të Durrësit janë restauruar plotësisht dhe janë gati për ekspozim dhe studim. Thesaret që i përkasin dy periudhave të ndryshme kohore janë restauruar nga restauratori Frederik Stamati, i cili thotë se ato janë gjetur të bashkuara me njëra-tjetrën nga produktet e korruzionit. Thesari i parë përbëhet nga 8 monedha të periudhës së Bizantit prej bronzi, ndërsa
thesari i dytë përbëhet nga 23 monedha turke prej argjendi me përzierje bakri. Një prej monedhave përcaktohet si më e rëndësishmja e thesarit turk, pasi ka shumë vlerë dhe është prerë në Stamboll. I takon kohës kur në Ballkan filluan marrëdhëniet kapitaliste dhe si rrjedhojë pati zhvillim dhe më shumë tregti. Për restauratorin Stamati thesari i dytë është shumë i rëndësishëm dhe sipas tij kjo është hera e parë që gjendet një thesar i periudhës turke. Stamati tregon se njëri nga thesaret është i periudhës së Bizantit, rreth shek. XIII, ndërsa thesari tjetër monedhë argjend përzier me bakër, është nga periudha turke dhe se është hera e parë që gjenden nga periudha e pushtimit turk një thesar me monedha. Pas gjetjes së këtyre dy thesareve shkon në katër numri i thesareve të zbuluara në amfiteatrin e Durrësit, ku me sa duket banonte një pjesë e pasur e popullsisë së qytetit.