“Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, Gonxhja: Turizmi dhe agroturizmi, ndër fushat me potencialin më të madh

TIRANË, 4 gusht /ATSH/ Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja theksoi sot se programi kombëtar “Dyfisho Sipërmarrjen Tënde”, synon të lehtësojë aksesin e bizneseve dhe fermerëve në financim për investime që rrisin produktivitetin, modernizimin, inovacionin dhe konkurrueshmërinë.
Gonxhja nënvizoi se, “turizmi dhe agroturizmi janë ndër fushat me potencialin më të madh për të krijuar ekonomi, punësim dhe zhvillim në çdo zonë të Shqipërisë, por edhe sektorë të tjerë të ekonomisë kreative, artizanatit dhe sportit”.
Programi përfshin ndërmarrjet mikro, të vogla e të mesme, si dhe fermerët e regjistruar në aktivitet bujqësor. Sektorët përfitues përfshijnë bujqësinë, agropërpunimin, industrinë përpunuese, turizmin, transportin dhe logjistikën, teknologjinë dhe ICT-në, energjinë, ekonominë e gjelbër, shërbimet prodhuese, automatizimin dhe inovacionin.
Sipas Gonxhes, programi financon investime në makineri dhe pajisje, linja të reja prodhimi, automatizim, transformim digjital, inteligjencë artificiale, eficiencë energjetike, zgjerim kapacitetesh, modernizim fermash dhe investime turistike, si dhe projekte që synojnë rritjen e eksporteve dhe përmbushjen e standardeve të BE-së.
Financimi maksimal parashikohet deri në 2 milionë euro, me norma interesi 2–3%, ndërsa garancia sovrane nga shteti mund të mbulojë deri në 70% të kolateralit. Afati maksimal i kredisë është deri në 10 vjet.
Programi parashikon gjithashtu mbështetje për hartimin e biznesplaneve, asistencë teknike nga ekspertë, konsulencë për projektet e investimit dhe orientim gjatë procesit të aplikimit.
Programi nis me paketën e parë prej 250 milionë eurosh dhe, sipas ministrit, mund të mundësojë financime deri në 1 miliard euro.
1 nga 6/gj.m/a.f/r.e/