Monitorimi i procedurave të importit dhe eksportit, Doganat marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Kontrollit të kanabisit

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Administrata Doganore dhe Agjencia Kombëtare e Kontrollit të Cannabis-it nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi për forcimin e koordinimit ndërinstitucional në kontrollin dhe monitorimin e procedurave të importit dhe eksportit të kanabisit për qëllime mjekësore dhe industriale.
Marrëveshja u nënshkrua nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja dhe drejtoresha e përgjithshme e AKKC, Anila Alliu.
Marrëveshja synon të krijojë një kuadër të qëndrueshëm bashkëpunimi mes dy institucioneve, duke mundësuar shkëmbimin e informacionit, koordinimin e veprimeve dhe zhvillimin e kontrolleve të përbashkëta, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Sipas njoftimit të Administratës Doganore, bashkëpunimi do të forcojë mekanizmat e monitorimit dhe do të rrisë efektivitetin e kontrolleve doganore, me qëllim garantimin e zbatimit të legjislacionit për aktivitetet që lidhen me kanabisin për përdorime mjekësore dhe industriale.
Administrata Doganore vlerëson se marrëveshja përfaqëson një hap të rëndësishëm në rritjen e koordinimit ndërinstitucional, duke kontribuar në mbikëqyrjen më efikase të procedurave të importit dhe eksportit dhe në zbatimin e standardeve ligjore në këtë sektor.

/e.xh/j.p/r.e/