E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dygolëshi në Tiranë, Kane thyen rekordin e Pele’: Ndaj Shqipërisë ishte e vështirë

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Kombëtarja shqiptare pësoi humbjen e 8-të radhazi ndaj Anglisë, duke mos arritur sërish ta ndalë dominimin e “Tre Luanëve”.

Megjithatë, kuqezinjtë treguan mbrëmjen e sotme në stadiumin “Air Albania” karakter dhe krijuan disa raste të rëndësishme për shënim, të cilat nuk arritën t’i konkretizojnë, duke u ndëshkuar nga eksperienca e Harry Kane.

Sulmuesi dhe kapiteni i Anglisë arriti të shënojë golat e tij të 77-të dhe 78-të me fanellën kombëtare, duke thyer rekordin e legjendës braziliane Pele dhe duke hyrë kështu më thellë në historinë e futbollit botëror. Golat e Kane nuk ishin vetëm një moment personal i madh, por edhe vendimtar për rezultatin përfundimtar 0-2 në favor të Anglisë.

Pas ndeshjes, kapiteni i Anglisë pranoi se kjo fitore nuk erdhi lehtësisht.

“Ishte me të vërtetë një ndeshje e vështirë, ndoshta një ndër më të vështirat që kemi pasur në grup. Duhej të tregoheshim të duruar dhe të punonim për të shkatërruar mbrojtjen e tyre, pasi ata janë shumë solidë në këtë pikë. Arritëm ta bënim dhe e mbyllëm ndeshjen 2-0. Një tjetër sfidë pa pësuar gola, jemi shumë të lumtur”, tha Kane.

Sulmuesi anglez theksoi gjithashtu rëndësinë e kësaj fitoreje për skuadrën.

“Është një fitore shumë e rëndësishme. Nuk donim të mbyllnim vitin me humbje dhe më pas të prisnim muajin mars për të luajtur sërish. Tani mund të largohemi dhe të shijojmë të gjithë këtë moment”, u shpreh ai për mediet pas ndeshjes.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›