Tirana “vishet” kuqezi para sfidës Shqipëri-Angli, tifozët festojnë kualifikimin historik në play-off

TIRANË, 16 nëntor /ATSH/ Kryeqyteti është “veshur” sot kuqezi, teksa mijëra tifozë nga e gjithë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe diaspora kanë mbërritur në Tiranë për të festuar kualifikimin historik të Kombëtares në fazën play-off të Kupës së Botës 2026.
Festimet kanë nisur që herët në rrugët kryesore të qytetit, ku flamujt, këngët dhe koreografitë kuqezi kanë krijuar një atmosferë elektrizuese.
Atmosfera për ndeshjen e sotme Shqipëri–Angli është elektrizuese, jo vetëm falë tifozëve shqiptarë, por edhe qindra tifozëve anglezë që kanë mbërritur për të mbështetur skuadrën e tyre. Rrugët përreth “Air Albania” janë mbushur me flamuj bardhekuq, ndërsa tifozët anglezë shihen duke kënduar, bërë foto dhe duke krijuar një atmosferë festive përpara sfidës së mbrëmjes.
Në orën 18:00, në stadiumin “Air Albania”, Shqipëria do të përballet me Anglinë në ndeshjen e fundit të Grupit K.
Anglia kryeson grupin me 21 pikë dhe ka siguruar kualifikimin direkt, ndërsa Shqipëria, e renditur e dyta me 14 pikë, e sheh këtë sfidë si një test të rëndësishëm para fazës vendimtare të play-off-it.
Historiku i përballjeve është në favor të anglezëve, të cilët kanë fituar 7 ndeshjet e mëparshme, me golavarazh 21-1.
Por atmosfera në Tiranë tregon qartë se kuqezinjtë janë gati të sfidojnë traditën. Me pesë fitore radhazi dhe tetë ndeshje pa humbje që prej marsit, ekipi i Sylvinhos vjen me moral të ngritur dhe me një mbështetje spektakolare nga tifozët.
Stadiumi “Air Albania” pritet të jetë i mbushur plot, pasi të gjitha biletat janë shitur.
Federata Shqiptare e Futbollit njofton se tifozët kanë nisur festimet që nga dita e djeshme, ndërsa sot qindra flamuj valëviten në sheshet e Tiranës, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe përgjatë rrugëve përreth stadiumit.
Parakalime tifozësh, këngë patriotike dhe koreografi kuqezi po e kthejnë kryeqytetin në një festë të madhe kombëtare dhe sportive.
Për rendin dhe sigurinë, Policia e Shtetit dhe FSHF kanë vendosur një sërë masash, përfshirë kontrolle të imta në hyrjet e stadiumit, tabela orientuese dhe sekuestrimin e sendeve të ndaluara. Portat hapen tri orë para ndeshjes, dhe tifozët ftohen të mbërrijnë me kohë për të shmangur radhët.
Ndërsa ora e fillimit afrohet, Tirana vazhdon të pulsojë kuqezi. Sot, më shumë se një ndeshje, sfida ndaj Anglisë është një festë e krenarisë kombëtare dhe një tjetër hap drejt ëndrrës botërore që tashmë është më e afërt se kurrë.
Tirana “vishet” kuqezi nga tifozët shqiptarë përpara ndeshjes Shqipëri -Angli Foto: Florjan Abazaj e Andrin Hoxha
/gj.m/r.e/