E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dyjavëshi i fundit i pushimeve për gushtin, fluks hyrjesh në pikëkalimet kufitare në vend

Pikat e kalimit kufitar në vend u përballën këtë të shtunë me fluks të lartë hyrjesh qytetarësh, por edhe automjetesh.

Intensiteti më i lartë ishte në pikë kalimet e Jugut, ku në Kakavijë u përpunuan mbi 11 mijë shtetas, mbi 7 mijë prej tyre vetëm në hyrje me mbi 3 mijë automjete.

Autoritetet kufitare shqiptare punuan me  6 sportele ndërsa pala greke me 4 sportele.

Edhe Pikat e Kalimit Kufitar në Shkodër regjistruan fluks të lartë, ku përpunuan mbi 32 mijë shtetas, 14 mijë vetëm në hyrje të Shqipërisë, me mbi 11 mijë automjete në Muriqan dhe Han të Hotit.

Mëngjesi regjistroi dyndje hyrjesh edhe në Morin të Kukësit, ku numri i lartë i mjeteve shkaktoi radhë të gjata deri në thellësi të territorit të Kosovës.

Në Kapshticë u regjistruan rreth 10 mijë hyrje-dalje, ku rreth 6 mijë u përpunuan vetëm në hyrje, ndërsa në Qafë Thanë u përpunuan rreth 11 mijë shtetas, ku rreth 6 mijë prej tyre ishin vetëm në hyrje.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›