Dyshja Berisha-Topalli rrëzon presidentin
Presidenti Bamir Topi mori një goditje të rëndë mbrëmë kur ata që e zgjodhën 24 korrikun e verës së shkuar i kthyen krahët dhe e lanë me “këmbë në tokë” pasi ia rrëzuan të 5 dekretet që kishte lëshuar për emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Dyshja Sali Berisha-Jozefina Topalli e interpretoi më së miri forcën kundër presidentit, ndërsa Kuvendi nuk dha pëlqimin për 5 gjyqtarë të propozuar prej Topit. Mbështetësit e këtij të fundit nuk ia dolën dot mbanë që t’ia rrisnin vlerën në bursë kryetarit të shtetit, që në në një mënyrë ose në një tjetër, është i humbur nëse del kundër asaj dysheje. Me një votim të fshehtë me kuti të veçanta për secilin dekret, që nisi pak pas orës 21 dhe me vota të numëruara deri rreth mesnatës, deputetët e PD-së rrëzuan presidentin e tyre. Shumica e votave për emrin e Medi Bicit ishte më domethënëse në mospajtimin e plotë të Berishës ndaj vendimit presidencial si dhe të hakmarrjes së plotë për anashkalimin e Topallit. I vetmi që u duk se po fitonte, me sa u besua, ishte vetëm Zamir Poda. Ai mori 65 vota pro, 62 kundër, 2 abstenime dhe 2 të pavlefshme. Sipas nenit 55 të Rregullores së Kuvendit, vendimet e Kuvendit konsiderohen të miratuara kur kanë votuar shumica në prani të gjysmës së deputetëve, përjashto rastet e parashikuara në Kushtetutë, për shumicë të cilësuar. Mbështetur në praninë e deputetëve të pranishëm, 130, gjysma e tyre është 66, rrjedhimisht u rrëzua edhe dekreti për Podën. Ai duhet të merrte 66 vota. Arjan Madhi, kryetar i komisionit të votimit tha se nga lodhja e madhe e anëtarëve, nuk u tregua kujdes në leximin e nenit që rrëzoi Podën. Te Zamir Poda pati rrjedhje të madhe votash të shumicës, andaj dhe Patozi nuk komentoi me asnjë fjalë, pavarësisht nevojës dhe kërkesës së medias. “Kandidati Zamir Poda, në përputhje me Rregulloren e Kuvendit, nuk mund të merret si kandidat i miratuar, pra nuk është dhënë “pëlqimi”, për shkak të marrjes së votave, ashtu siç u deklarua 65, por nuk ka marrë 1 më shumë se gjysma e deputetëve të pranishëm, që është 66. U kërkoj falje, nuk ishte çështje e nxitimit në interpretimin e Rregullores, por lodhja”-tha Madhi. Votimi i mbrëmshëm lë të pazgjidhur zëvendësimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, të cilëve u mbaron ose u ka mbaruar mandati, sikurse vetë kryetarit Thimo Kondi. Pavarësisht afateve kohorë të shqyrtimit të çështjeve prej kësaj gjykate, që mund të shkojnë deri në 1 vit, mungesa e anëtarëve pengon plotësisht punën e kolegjeve.
Kryetarja e Kuvendit dhe kryeministri fare hapur nuk ishin pajtuar me zgjedhjet presidenciale për gjyqtarët. Berisha mblodhi grupin e deputetëve dhe nxorri dy negociatorë, Astrit Patozin dhe Ilir Banon, të cilët pas takimit me presidentin, nuk ndryshuan asnjë rrjedhë për emrat. Kryekuvendarja u mbështet në një vendim të Gjykatës Kushtetuese të janarit 2005, sipas të cilit termi “pëlqim” i Kuvendit nënkuptonte mirëkuptim paraprak mes të dy institucioneve për votimet e gjyqtarëve. As ky interpretim nuk ndryshoi qëndrimin e Topit, i cili me vendosmëri argumentonte mbështetjen në Kushtetutë, e cila ia njeh veçse atij të drejtën për emërimin e gjyqtarëve, pa llogaritur “pëlqimin” e ligjvënësve. Kritaq Traja, ish-anëtar i Gjykatës së Strasburgut, e cila ka marrë disa vendime në favor të ish-pronarëve kundër Shqipërisë pëlqehej prej presidentit, i cili i ka marrë si “personale” çështjet pronësore. Zamir Poda, mbahej si i pëlqyer prej ish-të përndjekurve, ndërsa Neshat Fana “beniamin” i Berishës, as që përfillej prej Topit. Burime thonin se Fana ka qenë prokuror i një njeriut të afërt që financonte fushatën e presidentit si deputet, ndërsa Berisha e donte si “ndëshkues” të të akuzuarve për ngjarjen e 2 prillit 1991 në Shkodër kur u vranë 4 anëtarë të Partisë Demokratike.
Vota/Gjyqtarët Pro Kundër Abstenim Të pavlefshme
Altina Xhoxha 56 73 1 0
Artan Zeneli 56 71 2 1
Kristaq Traja 52 76 1 1
Medi Bici 40 86 4 0
Zamir Poda 65 62 1 2