E Shtunë, 31 Tetor 2026

Spiuni grek dekonspiroi arrestimin e Ben Qimes

Kush fshihet pas numrit telefonik grek që lajmëroi aksionin policor? Organi qendror i akuzës dhe SHKB-ja hetojnë për rrjedhjen e informacionit para arrestimit të Arben Isufajt

TIRANË – Vetëm 15 minuta larg prangave ishte në shkurt të këtij viti Arben Isufaj, i njohur ndryshe si Ben Qimja, i arrestuar rreth një javë më parë. Por një mesazh telefonik “dashamirës” i bërë nga një numër grek, e njoftonte për mbërritjen e shpejtë të uniformave blu që ishin nisur drejt vendndodhjes së tij. Në sms-në e shkurtër të dërguar në numrin e Isufaj, numër i cili ishte vënë në përgjim nga prokuroria, thuhej se informacioni sipas të cilit policia ishte nisur për ta arrestuar, ishte dhënë nga njëri prej titullarëve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ky i fundit në fakt mësohet se ishte edhe iniciatori i aksionit dhe njëri nga drejtuesit kryesorë të të gjithë aksioneve për arrestimin e Ben Qimes. Jo vetëm ky fakt, por edhe dyshimi i ligjshëm se emri i titullarit (që “Korrieri” vetëm për arsye etike nuk i bën të ditur emrin), është përdorur për të fshehur gjurmët e burimit të vërtetë të rrjedhjes së informacionit, si dhe një mundësi më shumë për “të vrarë me një gur dy zogj”, ka bërë që hetimi të përfshijë një sërë strukturash, të cilat kishin dijeni jo vetëm për faktin se numri i Arben Isufit ishte vënë nën përgjim, por dhe deri tek fakti se një “grusht me burra”, ndër më me emër në radhët e policisë, ishin nisur në drejtim të Fierit, ku Ben Qimja ishte gjatë orëve të datës 14 shkurt, deri pak minuta para se policia të mbërrinte në vendndodhjen e tij, kohë kur mësohet se ka mbërritur dhe sms-ja “miqësore”. Këmbëngulja jo vetëm e policisë për të zbardhur të vërtetën e rrjedhjes së informacionit për operacionin e organizuar për arrestimin e Ben Qimes, duket se u ka hapur jo pak punë strukturave hetimore. Dekonspirimi që dyshohet se i është bërë operacionit për arrestimin e 37-vjeçarit, të dyshuar si të përfshirë në vrasjen me paramendim të Pirro Koçiut në vitin 2002, detyroi Prokurorinë e Përgjithshme të nisë një procedim penal për të zbardhur emrin e personit që lajmëroi të kërkuarin rreth 15 minuta para se policia të mbërrinte në banesën e tij, në qytetin e Fierit. Lajmi konfirmohet për “Korrierin” nga burime pranë Ministrisë së Brendshme, të cilat thanë se për këtë çështje është kryer edhe një verifikim nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm, i cili u është referuar të gjithë materialeve në Prokurorinë e Përgjithshme, ku ka nisur hetimi me objekt “dekonspirimin”. Prokuroria nga ana e saj mësohet se ka kryer një sërë veprimesh hetimore, të cilat nuk kanë lënë jashtë vëmendjes as prokurorin e çështjes, Ervin Karanxhën, i cili është personi i parë që i janë kërkuar sqarimet e rastit lidhur me dështimin e operacionit më datë 14 shkurt, një ditë pasi Gjykata e Tiranës vendoi masën e sigurisë “arrest me burg në mungesë” për Arben Isufajn. Hetimi për zbardhjen e dekonspirimit ka përfshirë marrjen në pyetje për të dhënë sqarime në lidhje me ngjarjen gati të gjithë grupin hetimor, nga “koka tek këmbët”, pa lënë jashtë hetimit edhe vetë prokurorin e çështjes, i cili hetonte prej disa muajsh Arben Isufajn, si dhe strukturat e Hetimit të Krimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që kishin hapur të parat dosjet hetimore për Ben Qimen.

Prokuroria dhe 41 ditë kohë

Arben Isufaj katër ditë më parë u la nga Gjykata e Tiranës në masën e sigurisë arrest me burg për 45 ditë. Kjo masë ndaj 37-vjeçarit fierak u dha, pasi dyshohet se një gjurmë gishti e gjetur në pistoletën me të cilën dyshohet se në korrik të vitit 2002 u ekzekutua në rrugën “Him Kolli” shtetasi Pirro Koçiu, i përket Arben Isufajt, të njohur më së shumti në zonën e tij të banimit me emrin Ben Qimja. Përgjatë 41 ditëve tashmë të mbetura, Prokuroria e Tiranës duhet të kryejë ekspertizën zyrtarisht në një laborator të specializuar në Londër, për të përcaktuar vërtetësinë e dyshimit të saj. Më parë mësohet se kjo analizë është kryer në rrugë private nga familjarët e viktimës dhe kjo ka qenë edhe arsyeja që Gjykata e Lartë e ka çmuar të papranueshme si provë, në seancën për masën e sigurisë ndaj Arben Isufajt, pas apelimeve të njëpasnjëshme që kishte bërë në emër të Isufajt mbrojtësi i tij ligjor, Genc Gjokutaj.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›