E Diel, 1 Nëntor 2026

Dyshohen se ndihmuan Ergys Agasin, GJKKO lë në burg shefin e Policisë Shkencore dhe kryekamarierin

GJKKO ka lënë në burg shefin e Policisë Shkencore, Fatjon Kalluçi, dhe kryekamarierin Embro Sulejmani, të dyshuar për përkrahjen e Ergys Agasit gjatë kohës që ai ishte në kërkim.

Seanca për verifikimin e masës së sigurimit dhe marrjen në pyetje të dy të arrestuarve u zhvillua sot në Gjykatën e Posaçme.

Sipas të dhënave të hetimit, Fatjon Kalluçi, me detyrë shef i Policisë Shkencore, dyshohet se gjatë muajit gusht, përpara arrestimit të Ergys Agasit, i ka dërguar atij tre fotografi që lidhen me ekspertizën e automjetit “Land Rover Defender” me targë GG444AA, i cili ishte gjetur në ambientet e një biznesi.

Ndërkohë, Embro Sulejmani, i cili punonte si kryekamarier në një lokal, dyshohet se i dërgonte ushqime në banesën ku Agasi qëndronte i fshehur.

Sipas hetuesve, gjurmët për këto veprime janë gjetur në telefonin e Ergys Agasit dhe janë administruar si pjesë e hetimit.

Ndërkohë, sot në orën 12:00 është planifikuar edhe seanca për marrjen në pyetje të ish-drejtoreshës së SHISH-it, Vlora Hyseni, në kuadër të të njëjtit zhvillim hetimor.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›