Dyshohet se i vendosi eksploziv një lokali në Vlorë, arrestohet 28-vjeçari

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Një 28-vjeçar është arrestuar nga policia në Vlorë, pasi dyshohet si autor i dyshuar i shkatërrimit me eksploziv të një lokali në lagjen “Uji i Ftohtë” pak ditë më parë.
I riu u arrestua në kuadër të operacionit “Danger” nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë.
Policia njofton se “bazuar në veprimet intensive hetimore dhe dokumentimin me prova ligjore, u bë i mundur ndalimi i shtetasit B. S. alias B. M, 28 vjeç, banues në lagjen “Isa Boletini” dhe me precedentë penalë në fushën e narkotikëve dhe vjedhjes së pasurisë”.
“Nga hetimet rezulton se ky shtetas dyshohet të jetë autor i vendosjes së lëndës eksplozive më datë 08.12.2024, rreth orës 05:50, në një lokal, në lagjen “Uji i Ftohtë”, në pronësi të shtetases R. B., 73 vjeçe, ku si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale”, njofton Policia.
Policia bën me dije se gjatë operacionit, përmes veprimeve të koordinuara dhe mbështetura në prova shkencore, u sekuestruan në cilësinë e provave materiale dy telefona celularë, një biçikletë dhe veshjet e përdorura gjatë ngjarjes.
Po ashtu, vijojnë hetimet për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale, iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
/r.e/a.f/