E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dyshohet se kreu 4 vjedhje në 2 muaj, arrestohet 31-vjeçari në Durrës! I dënuar edhe më herët për të njëjtën vepër penale

Një 31-vjeçar në Durrës është arrestuar pas dyshimeve se kreu 4 vjedhje në një rrjet supermarketesh të qytetit.

Një 31-vjeçar në Durrës ka rënë në prangat e Policisë, pasi dyshohet se ka kryer 4 vjedhje gjatë dy muajve të fundit.

Përmes një njoftimi, Policia bën të ditur se 31-vjeçari u kap teksa po kryente një tjetër vjedhje në një supermarket.

Po ashtu në njoftim raportohet se 31-vjeçari ka qenë edhe më herët i dënuar për vjedhje.

Ndërkohë materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme hetimore.

Njoftimi i Policisë:

Durrës/Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për zbardhjen e një sërë vjedhjesh të kryera në një rrjet supermarketesh, gjatë 2 muajve të fundit.

Vihet në pranga 31-vjeçari që kreu 4 vjedhje në këto subjekte.

Ai u kap duke vjedhur në një supermarket, pjesë e të njëjtit rrjet.

31-vjeçari, i dënuar më parë, për të njëjtin krim.

Si rezultat i veprimeve hetimore dhe operacionale, të kryera pas kallëzimit të administratorit të një rrjeti supermarketesh në qytetin e Durrësit, se një shtetas, disa herë, kishte vjedhur produkte, në supermarketet e këtij rrjeti, duke u larguar me vrap, pa paguar, pas kalimit të produkteve, në kasa, shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës finalizuan operacionin “Rrjeti”.

Në kuadër të operacionit, u identifikua, u kap gjatë tentativës për të vjedhur në supermarket, dhe u vu në pranga shtetasi K. M., 31 vjeç, banues në Durrës.

Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas, gjatë periudhës 06.11.2025-31.12.2025, ka vjedhur 4 herë, produkte në supermarkete të të njëjtit rrjet, në lagje të ndryshme të qytetit të Durrësit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›