E akuzuar për korrupsion, GJKKO zbardh vendimin për ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shpallur fajtorë ish-kryetaren e komanduar të Bashkisë Tropojë Zyra Islamaj dhe ndërtuesin Rrok Gega për veprat penale të korrupsionit pasiv dhe aktiv.
Sipas vendimit nr. 42, datë 21 maj 2026, trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Flojera Davidhi, Bib Ndreca dhe Atalanta Zeqiraj vendosi deklarimin fajtor të Zyra Islamajt për veprën penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Islamaj u dënua me 2 vite e 1 muaj burgim, por gjykata vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e saj në shërbim prove për një periudhë 2-vjeçare. Gjithashtu, asaj i është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
Ndërkohë, Rrok Gega u shpall fajtor për “Korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe u dënua me 6 muaj burgim. Edhe për të, gjykata vendosi pezullimin e dënimit me burg dhe vënien në shërbim prove për një periudhë 1-vjeçare.
Sipas vendimit të GJKKO-së, të dy të pandehurit duhet të mbajnë kontakte me Drejtorinë e Shërbimit të Provës gjatë periudhës së provës dhe të mos kryejnë vepra të tjera penale.