E Shtunë, 31 Tetor 2026

E ardhmja e Kosovës është në BE

(E plotësuar)
Dialogu në mes Kosovës dhe Serbisë do t’i legjitimonte mekanizmat e komunikimit rajonal dhe këto mekanizma duhet të jenë elemente kyçe për zhvillimet politike dhe mekanike të rajonit që do të mundësojë integrimin në BE, ka thënë ministri i Jashtëm i Italisë, Franco Frattini.

Këto komente, ministri i Jashtëm i Italisë i bëri të mërkurën në ceremoninë solemne të Kuvendit të Kosovës, me ç’rast ka siguruar parlamentarët se Italia mbështet Kosovën në rrugën e saj drejt integrimit evropian.

“Duke ecur në këtë drejtim dhe duke përpjekur që të implementojmë të gjitha rekomandimet të cilat dalin nga Brukseli që janë pika shumë të rëndësishme për të ardhmen e Kosovës dhe e ardhmja e Kosovës është vetëm brenda Bashkimit Evropian”, ka thënë Frattini.

Sipas tij, Prishtina zyrtare ka ende punë për të bërë për procesin e liberalizimin e vizave. Ministri italian shfrytëzoi fjalimin e tij në parlamentin e Kosovës që t’i bëjë ftesë Beogradit dhe Prishtinës se duhet të gjejnë një mënyrë për komunikim konstruktiv.

“Dua edhe një herë ta ripërsëriti ftesën time që ua bëra dje autoriteteve të cilave i takova në Beograd në mënyrë që të hapim një dialog të frytshëm në mes Kosovës dhe Serbisë, sepse ne duhet të zhvillojmë çfarëdo përpjekje në mënyrë që të mbështesim asfaltimin rajonal në mes shteteve, sepse Prishtina dhe Beogradi duhet të gjejnë një mënyrë për një komunikim konstruktiv. Unë do të thosha që dialogu është me rëndësi qenësore, sepse do t’i legjitimonte mekanizmat e komunikimit rajonal, sepse këto mekanizma duhet të jenë elemente kyçe për zhvillimet politike dhe mekanike të rajonit dhe mekanizëm që do t’iu mundësojë integrimin në BE”, ka thënë Frattini.

Kryeparlamentari Jakup Krasniqi në hapjen e seancës solemne iu drejtua Frattinit duke thënë se Italia ka pas një rëndësi të veçantë në mbrojtjen e drejtësisë, rimëkëmbjes dhe sigurisë së Kosovës.

“Kosova ka para vetes rrugë të gjatë dhe të vështirë drejt mirëqenies sociale, zhvillimit ekonomik dhe demokratik, forcimit të shtetit ligjor, luftës kundër varfërisë, drejt shtrirjes së pushtetit shtetëror dhe administrative në gjithë territorin e vendit, luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe bashkëpunimit rajonal, liberalizimit të vizave dhe drejt prioritetit tonë strategjike të integrimet euro-atlantike”, ka thënë Krasniqi.

Vizita e ministrit Frattini në Kosovë vjen pas asaj në Beograd dhe sipas tij ka për synim që të konfirmojnë prioritetet e Italisë për rajonin e Ballkanin rreth stabilitetit politik dhe integrime evropiane.

Frattini: Prishtina e Beogradi në samitin e Sarajevës

Ministri i Jashtëm italian, Franco Frattini, konfirmoi se ka marrë pëlqimin e Prishtinës dhe të Beogradit për pjesëmarrje në konferencën joformale të Sarajevës.

Frattini tha se modeli që do të përdoret është i ngjashëm me konferencën e para një viti të mbajtur në Pragë, i njohur si modeli GIMNIK, sipas të cilit, ftohen ministrat në konferencë, por aty nuk do të përdoren simbole dhe atribute shtetërore.

Një përfaqësim i tillë, nënvizoi Frattini, nënkupton se do të jetë i njëjtë për të gjithë pjesëmarrësit e konferencës.

Sidoqoftë, diplomati italian tha po ashtu se përfundimisht do të konsultohet edhe me presidencën e radhës, atë spanjolle, nëse do të shkohet me këtë model.

Propozimi i Frattinit u mbështet nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Ai tha se çdo përfaqësim i Kosovës në nivel të barabartë me vendet tjera, është i pranueshëm për Kosovën.

Diplomati italian tha se kishte ardhur në Prishtinë që ta konfirmonte edhe mbështetjen që Qeveria e këtij vendi i jep Kosovës. Në radhë të parë, ai tha se Italia e mbështet Kosovën në ambiciet e saj për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.

Së dyti, nënvizoi ai, Roma e mbështet edhe përfshirjen e Kosovës në procesin e liberalizimit të vizave.

Frattini u dha mbështetje edhe veprimeve të fundit të autoriteteve të Kosovës për të vendosur rregull në operimin e telefonisë mobile, pas shkyçjes nga sistemi të operatorëve ilegal, që kryesisht vinin nga Serbia.

Frattini është pritur në një takim edhe nga presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi. Ai do të zhvillojë takime edhe me udhëheqësit e pranisë ndërkombëtare si dhe do t’i drejtohet me një fjalim Kuvendit të Kosovës. (REL)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›