E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet gjyqi ndaj Kurtit, EULEX me urdhërarrest të ri

Është shtyrë prapë seanca gjyqësore ndaj udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti. Shtyrja ka ardhur pasi Kurti dhe avokati i tij mbrojtës, Musa Dragusha nuk janë paraqitur në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Sikurse edhe më parë, Kurti nuk është paraqitur as të mërkurën në seancën gjyqësore dhe kjo ka bërë që gjykatësi kryesues ndërkombëtar, Ferdinando Buatier de Mongeot të shtyjë për të nëntën herë me radhë seancën.

Mongeot tha se do të marrë të gjitha hapat e ë nevojshëm për të siguruar prezencën e Albin Kurtit në Gjykatë dhe të caktohet një avokat i ri për seancën e 4 majit.

Pas përfundimit të seancës, aktivisti i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca ka thënë policia duhet të ndjekë shembullin e avokatëve që nuk po pranojnë të jenë pjesë e procesit kundër Albin Kurtit dhe qëllimit të EULEX-it për të izoluar “Vetëvendosjen”.

“Siç po e shihni ju, EULEX-i në mënyrë periodike, të rregullt po i shtyn seancat vazhdimisht, në mënyrë që ta mbajë Lëvizjen “Vetëvendosje” të persekutuar dhe Albin Kurtin të izoluar nga zhvillimet politike të cilat në Kosovë aq shumë e kërkojnë atë”, ka thënë ai.

Zëdhënësja e EULEX-it, Kristina Herodes ka thënë se hapat e nevojshëm të përmendur nga gjyqtari Mongeot, nënkuptojnë edhe një urdhërarresti të ri ndaj Albin Kurtit.

“Gjyqtari kryesues do të lëshojë një urdhër arrest të ri për ta sjellë të pandehurin në Gjykatë. Ajo çka është me rëndësi është që të bëhet gjykimi dhe të qartësohet se çfarë ka ndodhur. Ju e dini se askush nuk është fajtor deri sa kjo të dëshmohet në të kundërtën”, ka thënë Herodes.

Ndërkaq, aktivisti Glauk Konjufca bëri të ditur se Kurti ndodhet në Prishtinë dhe po merret me aktivitetet e përditshme, porse nuk do të paraqitet në gjykatë me vullnetin e tij, sepse gjykimi është iniciuar nga UNMIK-u dhe EULEX-i dhe jo nga gjykatat vendore.

“Albini nuk i respekton urdhrat për policinë që vijnë nga EULEX-i. Ai urdhër për t’u ndalur atë ditë dhe për t’iu nënshtruar vullnetarisht arrestimit nga ana e Policisë së Kosovës është urdhër i EULEX-it, nuk është urdhër i institucioneve vendore, nuk është urdhër i gjykatave, po është urdhër i një rasti të cilin e ka marrë Gjykata e Qarkut si asistencë, të cilin rast e udhëheq siç duhet shumë mirë Prokuroria Speciale e EULEX-it”, është shprehur Konjufca.

Dy ditë më parë njësitet speciale të Policisë së Kosovës kanë ndërhyrë brutalisht pas varrimit të veprimtarit të çështjes kombëtare, Ali Aliu për të arrestuar udhëheqësin e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti.

Mirëpo, ka qenë reagimi i qytetarëve dhe aktivistëve që kanë pamundësuar arrestimin e Kurtit, ndërsa që janë lënduar shumë qytetarë dhe disa aktivistë janë arrestuar.

Kurti akuzohet për organizimin e turmës që ka kryer vepër penale, për drejtimin dhe pjesëmarrjen në një grup që ka penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave të tyre dhe për thirrje në rezistencë me forcë ose me kërcënim të rëndë më 10 shkurt të vitit 2007.

Dihet se atë ditë, pas intervenimit brutal të policisë ndërkombëtare të UNMIK-ut, janë vrarë dy demonstrues paqësor, Arben Xheladini dhe Mon Balaj, ndërsa janë plagosur dhe lënduar edhe 83 persona të tjerë.

EULEX-i ka rinisur procesin kundër Kurtit, në bazë të lëndës së trashëguar nga UNMIK-u. (KosovaPress)

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›