E Shtunë, 31 Tetor 2026

E bëjnë koordinator

Udhëheqësi aktual i AAK’së, Blerim Shala i është kthyer rolit të koordinatorit të bisedimeve Kosovë-Serbi.

Në këtë pozitë, Nënkryetarin e AAK’së e ka emëruar sot Presidentja e Republikë së Kosovës, Atifete Jahjaga.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, nenin 83 dhe nenin 84, pika 2 dhe pika 4, dekretoi zotëri Blerim Shalën, koordinator politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në njoftimin e Presidencës.

Pas emërimit të Shalës ka reaguar Qeveria e Kosovës, e cila ka mirëpritur vendimin e Presidentes që deputeti i opozitës të jetë koordinator i ekipit të palës kosovare në dialog me Serbinë.

"Kryeministri Hashim Thaçi ka mirëpritur dekretimin nga Presidentja e Kosovës, të Blerim Shalës, në pozitën e koordinatorit politik në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë”, thuhet në deklaratën e Qeverisë.

Blerim Shala ka qenë pjesë e bisedimeve të Vjenës, ku ka mbajtur pikërisht të njëjtën pozitë, duke udhëhequr Grupin Politik Strategjik.

Në atë kohë, emërimin e tij e pati bërë Presidenti Ibrahim Rugova, por se Shala në të njëjtën kohë kishte mbajtur edhe post menaxherial në një gazetë.

Tash, Shala është deputet i Kuvendit të Kosovës dhe Nënkryetari i Parë i AAK’së.

Edhe pse AAK është opozitë, Shala ka vendosur të bëhet pjesë e dialogut që po zhvillohet mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Serbisë.

AAK e ka mbështetur në vazhdimësi procesin e bisedimeve për normalizimin e raporteve me palën serbe.

Madje, Shala ka paralajmëruar se temë e dialogut me Serbinë do të jetë edhe problemi i Veriut.

Tash e disa muaj, është përmendur edhe mundësia e një koalicioni mes PDK’së dhe AAK’së për shkak të bisedimeve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›