E diela e përgjakshme

Për të gjitha vrasjet e pasluftës duhet të ketë një përgjigje. Nëse ato s’mund të zbardhen, le të mbyllen. Për të gjithë, drejtësia duhet të vihet në vend. Të mos mbesim peng. është çasti i përshtatshëm për t’u përmbyllur ky kapitull i dhimbshëm për familjarët e viktimave, por tejet profitabil për politikanët që mbi eshtrat e tyre ndërtuan karriera politike.
“Nuk mund t’u besoj lajmeve sot, Oh, nuk mund të mbyll sytë e ta heq nga mendja. Deri kur, deri kur ne duhet të këndojmë këtë këngë? Deri kur? Deri kur?” Kështu fillon kënga hyrëse e albumit “War”, e grupit të famshëm irlandez “U2”, “Sunday, Bloody Sunday”. Kënga shquhet për tonin ushtarak dhe është njëra ndër këngët më të angazhuara politike të “U2”-së. Teksti përshkruan atë që kishte ndodhur të dielën e përgjakshme të vitit 1972, në Derry të Irlandës Veriore, kur trupat britanike kishin shtënë mbi aktivistë të lirive qytetare, duke lënë të vdekur në vend 13 prej tyre. Kjo e diel në Kosovë ishte e përgjakshme. Mos të keqkuptohemi vetëm verbalist, fatmirësisht! Këtë të diel të bukur vjeshte, përmes gojës së Nazim Bllacës, u rikthyen të gjitha fantazmat e së shkuarës sonë politike, duke elektrizuar opinionin deri në përmasën mosbesuese të asaj që u dëgjonin veshët. është tepër e guximshme që qysh tani t’i japim vetes të drejtën e komentimit për vërtetësinë ose falsitetin e pohimeve të Bllacës. Duke lënë anash krejt ato që thotë protagonisti nga Ribari, bomba që ai i hodhi opinionit na cytë të reflektojmë se në çfarë ambienti të brishtë politik jemi të destinuar të jetojmë. Askush s’e mohon dhe varret na e dëshmojnë se në Kosovë që nga 12 qershori 1999 kanë ndodhur vrasje “në nivel të Kosovës”, siç i cilësonte Nazim Bllaca! Të ndërlidhura me botën politike dhe atë të biznesit, të pasqaruara asnjëherë, sot e asaj dite kanë lënë të helmuar skenën tonë politike. Ky helm krijoi dhe ende krijon një ambient të përshtatshëm për t’i veshur me gjithçka antinjerëzore kundërshtarët politikë. Boll na del të kujtojmë gjuhën që kishte përdorur “Bota Sot”. Me gjakun e të vrarëve të pasluftës, kjo gazetë kishte spërkatur secilin politikan që ishte i tjetrës anë. Ato që i kemi dëgjuar nga Nazim Bllaca, moti i kemi lexuar në atë gazetë. Ato i kemi dëgjuar edhe nëpër fushata zgjedhore. Emrat e të vrarëve ishin ruajtur si këmisha me gjakun e të vrarëve, që sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbetet varur në oborrin e familjeve të hasmuara, derisa të merret haku. Partitë politike që tundnin ato këmisha me gjak të zverdhur në fushata zgjedhore, i transformonin në numra votash. Me to janë fituar zgjedhje dhe pushtet. Praktika që dukej e harruar, çuditërisht bash në mes të fushatës këtë herë u nxor nga dheu përmes CD-së së famshme. çdo aksident thuhet së është një shans. Që të mos mësohemi që ky skenar bizar të na përsëritet në cikle ritmike, shansi është që njëherë e përgjithmonë të zbardhen rastet e vrasjeve të pasluftës. E di, shumëçka e bën të ndërlikuar zbardhjen e tyre, përshirë edhe distancën kohore. Veçse është çasti i përshtatshëm që të përmbyllet ky kapitull i dhimbshëm për familjarët e viktimave, por tejet profitabil për politikanët që mbi eshtrat e tyre ndërtuan karriera politike. Për të gjithë të vrarët e pasluftës duhet të ketë një përgjigje. Ose, nëse ato s’mund të zbardhen, të mbyllen e të shpallen “Ad Acta”, që të mos mbesim peng. Për të gjithë, drejtësia duhet të vihet në vend. Bashkë me këtë edhe vitet e rënda në skenën tonë politike të shpallen “Ad Acta”. Kjo heq mundësinë e rishfaqjes së tyre, sa herë që mund t’i teket dikujt.
Përfundimisht, secilit do t’i hiqej mundësia që pafytyrshëm të kacavirret politikisht e të hedhë valle mbi varret e tyre, për të bërë rrëmujë gjithë ambientin politik. Nëse për gjithë ato raste nuk sjellim një vendim, atëherë dy milionë kosovarë do t’i hapin sytë para televizorit sa herë që deklarata kësisoj mund të bëjë secili nga dy milionë kosovarët. Zbardhja ose mbyllja e dosjeve do të lironte edhe disa media që të mos përfshihen nga ajo frymë dalldie e sojit të 17 marsit 2004. Ylli medial nga Ribari, të dielën (nuk mbet kush pa e mësuar zanatin e PR-it dhe që plasimin e ngjarjeve ta bëjë ditën e diel!) uzurpoi ekranet e TV-së deri pas mesnate. Ripërsëritja e tij na mësoi emra individësh, familjesh e çka jo tjetër. Ata nuk ishin emra krushqish, por emra të përfshirë në historinë rrënqethëse të krimit që na tregoi Nazim Bllaca. Përgojimi i atyre emrave nga TV-të tona kombëtare do të duhej të kursehej, derisa drejtësia ta thotë atë që ka për ta thënë. Si ndihen ata qytetarë, bashkë me familjet e tyre, pasi emrat dhe mbiemrat e tyre kanë hyrë në të gjitha shtëpitë e Kosovës? Si ta dimë ne se ata qytetarë të përfolur nga Bllaca janë vërtetë të përzier në histori të tilla kriminale?
Gjithçka është në fillim. Prandaj, në qoftë se nuk plotësohet gjithë mozaiku i evidencave hetimore, në fjalët që thuhen duhet të ketë rezervë. Qoftë edhe në ato të Nazim Bllacës. Gjithë kjo më rikthen te lirika e “U2”-së. Asaj që pashë e dëgjova, nuk mund t’i besoj. Deri kur ne duhet të këndojmë këtë këngë?