Saimir Maloku: Si e shpëtuam Liri Berishën gjatë protestave të 20 shkurt 1991

Njëri ndër protagonistët e 20 shkurtit 1991 reagon sërish ndaj kryeministrit Berisha, për ta shpallur këtë datë si festën më të madhe të demokracisë dhe jo 8 dhjetorin. Maloku: Studentët pa ne ishin si peshku pa ujë
Petrika GROSI
Një nga të përndjekurit që mbahet si protagonist i protestave për demokraci në vitin 1991 e sidomos më 20 shkurt të po këtij viti, i dekoruar disa herë nga presidentët shqiptarë për merita civile dhe humanizëm, Saimir Maloku, e ka quajtur vetëm se politike e të pandrejtë ndaj atyre qindra mijëra njerëzve të përndjekur politikë apo edhe pjesës tjetër të shqiptarëve që aspiron për demokraci, festimin e 8 dhjetorit me përmasa të tilla, sikundër kjo festë u organizua pardje në sheshin “Skënderbej”, ku të krijohej me të drejtë përshtypja më shumë e një kundërpërgjigjeje ndaj protestave të opozitës, sesa e festimit të një dite të shënuar. Për këtë dhe të tjera arsye që Saimir Maloku i jep në intervistën që vijon, kjo ditë (20 shkurti) duhet ta shpallet si festa më e madhe e demokracisë, një ngjarje e shënuar për të gjithë shqiptarët pa dallim, të djathtë e të majtë qofshin.
-Para një jave ju u shprehët në intervistën e dhënë për gazetën, se festa e vërtetë e demokracisë është më 20 shkurt 1991 dhe jo më 8 dhjetor 1990. Si e pritët mitingun e zhvilluar këto ditë nga PD?
“Di të them, se shpenzimet marramendëse për popullin e varfër dhe taksapagues ishin bërë në mënyrë që t’i jepej një frymë tepër pompoze e madhështore mitingut në sheshin “Skënderbej”. Me qindra banderola me mbishkrimin e 8 dhjetorit, festa e rinisë dhe e pluralizmit mbushën muret e pallateve të dikastereve shtetërore, të rrugëve dhe të urave të Tiranës. Gjithashtu, afishe të shumta me këto mbishkrime u vendosën gjithandej. Atë ditë qeveria dha urdhër që nxënësit e shkollave dhe punonjësit e administratës, deri te mësuesit dhe mjekët të grumbulloheshin me detyrim në shesh. Mjaft autobusë erdhën nga rrethet. Gjithë këto shpenzime kaq të mëdha u bënë në kohën që nuk kishim as ndonjë jubile të 8 nëntorit 1990. Mjaft njerëz, si mjekë e arsimtarë të ardhur nga rrethet lanë pacientët e sëmurë nëpër spitale dhe nxënësit e shkollave pa mësim. Kjo gjë bëhej vetëm për t’i dhënë një kundërpërgjigje Partisë Socialiste, e cila kishte paralajmëruar zhvillimin e një mitingu madhështor javën e parë të dhjetorit. Që para një viti, 45 parti e shoqata si dhe komunitetet fetare në vend kërkuan përmes një peticioni drejtuar qeverisë, që 20 shkurt 1991 të quhej Dita e Rrëzimit të Simboleve Komuniste dhe e Nderimit të Viktimave të Regjimit Komunist. Në vend që të miratohej kjo kërkesë nga qeveria, ndodhi e kundërta, kryeministri Berisha tha: “20 shkurti 1991 është dita e nderimit të viktimave të regjimit komunist”. Ky ishte një gabim i madh, sepse atë ditë nuk është se ka pasur ndonjë viktimë dhe së dyti, data 21 mars është Dita e Nderimit të Martirëve të Demokracisë. E njëjta festë nuk mund të ketë dy ditë. Kryeministri Berisha harron se kjo kërkesë është bërë nga personalitete të shquara, si Alfred Moisiu, Aleksandër Meksi, dhjetëra deputetë dhe ish-deputetë të PD-së, si dhe institucionet më të larta shkencore në vend (Akademia e Shkencave, Qendra e Studimeve Albanologjike, Instituti i Historisë, Qendra Ndërkombëtare e Kulturës, Muzeu Historik Kombëtar, si dhe me dhjetëra shoqata e OJQ”.
-Po festa e 8 dhjetorit, sipas jush, është vetëm politike?
“Më 8 dhjetor 1990, qindra studentë filluan të protestojnë për kushte më të mira ekonomike dhe standarde jetese në konvikt si: drita, ujë, ngrohje, ushqim etj. Mes këtyre, siç e tregojnë dhe filmimet e 11 dhjetorit 1990 me ish-presidentin Ramiz Alia, Azem Hajdari kërkoi që të krijohej edhe një organizatë politike. Studentët u përkrahën edhe nga populli demokrat i Tiranës. Këtë ditë, rreth orës 18:00, një shoku im i lagjes, Agim Xheka, që punonte në RTSH më përqafoi me gëzim dhe më thotë se gjysma e Byrosë Politike ishte shkarkuar. Me shpejtësi u nisa drejt Qytetit Studenti dhe aty iu afrova Sali Berishës, Neritan Cekës dhe Gramoz Pashkos, të cilëve u dhashë lajmin e gëzueshëm. Në këtë kohë, mjaft punonjës të Sigurimit të Shtetit më rrethuan nga larg dhe pati nga ata që më goditën me shkelma. U detyrova të qëndroja pranë turmës, derisa në orën 20:00, TVSH-ja dha lajmin se ishte shkarkuar gjysma e Byrosë Politike. Populli i Tiranës ka qenë gjithmonë përkrahës i studentëve. Kjo datë sigurisht që ka vlera historike si Dita e Rinisë dhe Pluralizmit, por nuk mund të jetë festa kombëtare më e rëndësishme e demokracisë”.
-Pse insistoni vazhdimisht për 20 shkurtin 1991 dhe pse flisni në emër të popullit të Tiranës kur nuk jeni deputet?
“Historia ka treguar se mjaft politikanë bëjnë shumë gabime, duke tjetërsuar një ngjarje apo duke e përdorur atë për motive politike. Populli i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë është heroi kryesor i kësaj dite. Të nënvleftësosh aktet heroike të grave, minatorëve, të persekutuarve politikë, sindikatave etj., është një krim që i bëhet historisë. Brezat e ardhshëm do ta korrigjojnë çdo gabim që bëhet sot. Kujtoni festat e ushtrisë dhe festën e çlirimit që ndryshoi në periudhën e demokracisë”.
-Më 20 shkurt ‘91 ju keni thënë se protestuat familjarisht?
“Po, është e vërtetë. Isha me gruan dhe dy djemtë e mi të vegjël, dy dhe katër vjeç. Një ditë më parë i kisha thënë shokëve të mi si ish-kryetar i të Persekutuarve të “Rrugës së Kavajës” se një nga detyrat tona për këtë ditë ishte të ruanim edhe zonjën e nderuar Liri Berisha dhe kështu ndodhi. Në mitingun e 20 shkurtit, te Qyteti Studenti, unë me familjen time dhe me shumë ish-të persekutuar politikë qëndronim pas znj. Berisha dhe djalit të saj 10-vjeçar, Shkëlzenit, ndërkohë që e bija, Argita, atë ditë ndodhej në grevën e urisë që po zhvillonin studentët. është për t’u theksuar se pasi u shkëputa nga Liri Berisha, lashë gruan time dhe disa gra të persekutuara në mbrojtje të saj. Siç ma ka treguar dhe ime shoqe atë ditë, këto gra shmangën një masakër të mundshme nga policia. Një oficer policie dhe tre ushtarakë të shoqëruar secili me qen kufiri iu turrën znj. Berisha dhe djalit të saj. Në këtë kohë gruaja ime dhe gratë e tjera e mbuluan me trupat e tyre dhe të fëmijëve Liri Berishën, në mënyrë që ajo të shpëtonte, duke u larguar. Ajo u ngjit në katin e pestë të një pallati aty pranë, ku një familje e strehoi, duke i dhënë bukë me vaj e sheqer djalit të saj të vogël dhe një vajze tjetër që quhej Xhoi. Një episod tjetër që më kujtohet është kur qëndroja përkrah Liri Berishës, ndërkohë që të gjithë me britma gëzimi po digjnim veprat e diktatorit te librari “Flora”. Sali Berisha nuk duhet ta injorojë kontributin që vetë familja e tij ka dhënë këtë ditë. Ai harron se mbrëmjen e 20 shkurtit u arrestuan 370 vetë dhe një pjesë prej tyre u burgosën. Populli i Tiranës, afro 100 mijë njerëz nuk dolën të shtyrë nga dikush tjetër në shesh, por e bënë këtë vetëm nga urrejtja që kishin për diktaturën komuniste. Kur rrëzuam monumentin e diktatorit të gjithë brohorisnim “Fitore, fitore e rrëzuam qelbësirën”. E pra, ky ishte momenti më kulminant i atyre viteve që simbolizonte edhe sipas mediave botërore, rrëzimin e komunizmit në Shqipëri. është për të ardhur keq një deklaratë që PD-ja bëri atë ditë, ku ajo distancohej nga aktet e dhunës së protestuesve. është për t’u theksuar se ai popull që doli atë ditë në protestë sot është anëtar i partive të majta e të djathta. Pra, kjo ditë nuk ka ngjyra politike dhe duhet të jetë festa kombëtare më e madhe e demokracisë për të gjithë shqiptarët. Presidenti Bamir Topi dhe ambasadorët e huaj të SHBA-ve, BE-së, OSBE-së etj., e kanë përkrahur kërkesën tonë, siç ju tregova edhe në intervistën paraardhëse. Mosndërtimi i monumentit në nderim të viktimave të komunizmit, si dhe mosshpallja e kësaj dite (20 shkurtit) si festë kombëtare, e ul edhe elektoratin e djathtë. Tashmë 20 shkurti tjetër po afron dhe gjithashtu, pas një viti kemi 20-vjetorin e kësaj dite të shënuar. Për këtë arsye i lutemi kryeministrit Berisha që të marrë në konsideratë kërkesën tonë”.
FESTIVALI
Filmi “Gjallë” vazhdon garën përtej Atlantikut
Filmi “Gjallë” (Alive), përveç pjesëmarrjes në Festivalin e Filmit në Clevelend të SHBA-ve, është zgjedhur edhe në seksionin e filmin të huaj në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në “Palm Spring”, Los Angeles. Vetë Regjisori Artan Minarolli është ftuar të marrë pjesë në shfaqjen e filmit të tij në 16 dhe 17 janar 2010, si dhe në mbrëmjen gala të ndarjes se çmimeve. Festivali Ndërkombëtar i Filmit në “Palm Springs” në LA, që do të mbahet nga data 7-18 janar 2010, ka një reputacion të fortë në botën e kinemasë dhe shërben si një trampolinë lançimi në industrinë filmike, duke shënuar arritje te suksesshme në shitjen dhe distribucionin e filmave të rinj dhe në promovimin e kineastëve. Festivali gjithashtu ndërthur edhe aspektet më të mira të tregut të filmit me reputacionin e mirë që ka krijuar ndër vite, si një festival me audiencë të lartë, të cilin çdo kineast do të donte ta ndiqte. Ky festival është i njohur edhe si “Paradhoma e Edicionit e 82-të të çmimit “Oscar” për vitin 2010, pasi siç dihet, ky film përfaqëson Shqipërinë në këtë konkurrim. Njëherësh, filmi “Gjallë” është pranuar në programin e “Europian Film Market” në Festivalin e Berlinit. Deri tani film “Gjallë” i regjisorit Artan Minarolli ka marrë pjesë në shumë festivale ndërkombëtare, ku është vlerësuar edhe me çmime të ndryshme.