E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta e autorit, ku e gjen veten media në ligjin e ri

Elsa Demo

Prej fillimit të këtij viti, gazetarët dhe kolumnistët e të përditshmes Koha Ditore në Kosovë reshtën menjëherë botimin në gazetat e Shqipërisë. Në bazë të kontratave të kësaj sipërmarrjeje botuese (më e madhja në Kosovë) me gazetarët, ndalohet botimi i teksteve në mediat e tjera. Parimisht është në rregull, për shkak se prej vitesh në mediat shqiptare në Shqipëri e Kosovë është krijuar një praktike që unë e quaj plaçkitja e ndërsjelltë duke marrë arbitrarisht tekste nga njëra-tjetra. Kështu po krijohet mentaliteti se gjithçka është falas në botën e gazetarisë. Është komenti i një gazetari të Kohës që në vite ka dhuruar tekste por edhe e kanë vjedhur mediat në Shqipëri. Vendosja e normave për të drejtën e përdorimit dhe ripërdorimit të punëve të gazetarëve nga sipërmarrësit mediatik, mund të bëhej për qëllime fitimi, por kjo edhe rrit vlerën e produktit mediatik.

Me të drejtat e autorit, media ndodhet në një marrëdhënie të dyfishtë. Së pari asaj i kufizohet mundësia që të marrë tekste, imazhe, filmime, vepra të të tjerëve, por edhe do duhej të mbrohej që të tjerët të përdorin veprat e saj pa miratim për qëllimet e tyre.

Media shqiptare e gjen veten në projektligjin e ri Për të Drejtën e autorit dhe të drejta të lidhura me të që nuk ka filluar ende mirë të diskutohet me grupet e interesit, përpara kalimit të tij në procedurat zyrtare të miratimit.

Sipas projektligjit, mbrojtja e së drejtës së autorit nuk përfshin lajmet e ditës, fakte dhe të dhëna të thjeshta si të tilla, por vetëm në paraqitjen e tyre origjinale. Dhe për autorin jepet ky përcaktim: autor është individi ose grup individësh i cili/të cilët ka/kanë krijuar veprën letrare, artistike, shkencore, produkt intelektual origjinal, i materializuar, pavarësisht nga forma a mënyra e të shprehurit.

Ka sipërmarrje mediatike, siç u përmend më lart, që detyrimet për mbrojtjen e të drejtës së autorit i bëjnë pjesë të kontratës së punës. Pikërisht këtu, projektligji në fjalë do të ndeshte pengesën e parë të madhe. Si mundet një media që punon në të zezë, të respektojë të drejtat e autorit? Gazetarët në Shqipëri, në shumicë, punojnë pa kontrata pune. Media në Shqipëri është larg një sistemi normash profesionale që i jep garanci gazetarisë të ruajë një autonomi relative siç thotë prof. Stephan Russ-Mohl, një sistem normash i cili nuk i qarkullon lajmet si një mall që prishet shpejt.

Gazetari, sipas projektligjit, mund ta gjejë veten në veprat që krijohen në bazë të kontratës së punës. Të drejtën e autorit për veprat e krijuara në marrëdhënie punësimi, neni 9 i projektligjit e trajton kështu: Kur vepra krijohet nga një punëmarrës në kushtet e kontratës së punës dhe gjatë ekzekutimit të detyrave dhe udhëzimeve të dhëna nga punëdhënësi i tij, punëdhënësi ka të drejtë të ushtrojë të gjitha të drejtat pasurore mbi veprën e krijuar në këto kushte, përveçse kur parashikohet ndryshe në kontratën me shkrim mes tyre. Projektligji njeh një situatë të re për gazetarin-autor: kur punëdhënësi ua kalon të drejtën e autorit apo licencon të tretët për përdorimin/shfrytëzimin e veprës për qëllime fitimi, autori gëzon të drejtën të përfitojë një shpërblim përpjesëtimor.

Nikoleta Gjordeni, drejtore e Zyrës Shqiptare për të Drejtën e Autorit (ZSHDA), e cilëson pozitiv krijimin në një klimë ligjore të një raporti të ri gazetar-botues. Ajo citon projektligjin që thotë: Punëmarrësi ruan të drejtën e autorit mbi çdo vepër që nuk është krijuar në ushtrim të detyrave të tij si punëmarrës, si dhe çdo përdorim të veprës së krijuar në kuadër të kontratës së punës, që nuk përfshihen në veprimtaritë normale të punëdhënësit. Sipas ligjit aktual, për çdo vepër që krijon një gazetar, – fjala është për një punë krijuese, midis zhanrit letrar dhe gazetarisë, si për shembull, reportazhi, – të drejtat i përkasin punëdhënësit deri në 3 vjet pas publikimit të tekstit. Me projektligjin e ri nuk do të ketë fare afat, veç në parashikohet në kontratën që do të ketë gazeta si punëdhënëse me gazetarin si punëmarrës. Gjordeni është e mendimit se të gjitha të drejtat burojnë nga autori, në këtë rast nga gazetari. Kjo do të thotë se secili gazetar duhet ti bëjë pyetje vetes, përpara se ta nënshkruajë kontratën e punës, nëse është në gjendje ta respektojë, nëse ai pranon kushtet e marrëdhënieve të punës. Me sa kam dijeni botuesit shqiptarë nuk e duan këtë gjë. Prandaj në radhë të parë gazetarët duhet të ndërgjegjësohen për të drejtat që përcaktohen nga kontrata e punësimit. Ata duhet të informohen se çjanë këto të drejta, kush është bartës i tyre dhe deri kur.

Drejtoresha e ZDSHA-së kujton se i njëjti parim vlen edhe për autorët-gazetarë të veprave audiovizuale. Edhe kjo, është risi e këtij ligji që parashikon kontributin e secilit autor në veprat e krijuara në marrëdhënie punësimi, siç janë veprat audiovizuale. Por për natyrën e mediumit, për ritmin ku ka hyrë teknika, është mjaft e vështirë të parashikohet funksionimi i së drejtës së autorit për veprat audiovizuale, e të administrohet siç duhet një balancë midis dhënies së informacionit dhe mos-cenimit të të drejtave të krijuesve të tij e të çdo bartësi tjetër të të drejtave të autorit.

Prof. Fiscor: Bota është çmendur

Mihaly Ficsor (Kryetar i Aleancës së të Drejtës së Autorit për Europën Qendrore dhe Lindore, CEECA, Budapest) është nga hartuesit kryesorë të projektligjit shqiptar Për të Drejtën e Autorit dhe të Drejta të tjera të lidhura me të. Ai merret prej vitesh me fushën e copyright-it. Udhëton nëpër botë për asistenca si në rastin e Shqipërisë ku ka ardhur si ekspert dhe përfaqësues i OBPI. Sepse projektligji në fjalë është hartuar në kuadër të një projekti të Bashkimit Europian.

I pyetur për të drejtat morale dhe ekonomike veçanërisht të gazetarit-autor, prof. Fiscor thotë se në rastin e gazetarisë situata është ndryshe. Gazetat në përgjithësi botojnë artikuj të shkruar nga gazetarët dhe nëse gazetarët janë autorë të punësuar, atëherë të drejtat e tyre ekonomike parashikohen në kontratë. Unë e përmenda në prezantimin tim se ka sisteme të ndryshme kombëtare. Me rëndësi për rastin shqiptar të medias është kur gazetarët autorizojnë të tjerët të përdorin artikujt e tyre. Për këtë rast, në projektligjin tuaj të ri, parashikohet një shpërblim duhet bërë. E nëse artikujt shkarkohen nga interneti jo nga formati i gazetës, atëherë këto të drejta nuk mbulohen. Si përfundim përgjigjja ime është: nëse gazetari është i kontraktuar atëherë kjo kontratë punësimi mbulon të drejtat e tij ekonomike si autor.

Prof. Fiscor përmend edhe disa raste për tu marrë konsideratë. Për shembull, nëse autorë të famshëm botojnë në gazetë, gazeta duhet të ketë një marrëveshje me autorin dhe është i nevojshëm një autorizim i tij.

Por përtej këmishës së forcës së ligjit, prof. Fiscor, gati me humor, kujton se ka autorë që e dhurojnë përdorimin e të drejtave. Këta janë nga ata që i hyjnë karrierës universitare, e të cilët do të paguanin që tiu krijohej mundësia për të botuar në një gazetë të mirënjohur sepse është çështje promocioni në fushën akademike. Ka të tjerë që duhen të shprehin opinionet e tyre politike dhe i ofrojnë të drejtat falas.

Gjendjen dikur, në fillimet e specializimit të tij në fushën e copyright-it, Mihaly Ficsor e krahason me një spital ku vijnë pacientë me probleme të lëkurës, marrin mjekimet e duhura dhe kthehen pas një viti. Ndërsa sot fusha e drejtave është ajo pjesa e urgjencës në një spital ku vijnë raste shumë urgjente. Bota është çmendur.

Një pamje tjetër mbi median

Hulumtimi përkundër plagjiatit

Stephan Russ-Mohl

Në punë

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›