E Shtunë, 31 Tetor 2026

E drejta e shteteve për t’u mbrojtur

18-11-2012 / Nga Ilirian Dahri

Janë vënë përsëri në lëvizje njerëzit më me peshë të globit. Natyrisht shumica kërkojnë dialog për paqen në këtë rajon. Por nga ana tjetër ka edhe nga ata, siç është rast i ministrit të mbrojtjes të Iranit, Ahmad Vahidi i cili nuk ka ngurruar aspak por ka filluar duke i bërë thirrje botës islamike që të fillojnë me aksione kundër Izraelit. “Ajo që po bën Izraeli nuk është legjitime dhe është e papranueshme. Izraeli duhet të kuptojë se nuk ka imunitet total dhe nuk është mbi të drejtën ndërkombëtare” - ka deklaruar ndërkaq edhe ministri i Jashtëm i Tunizisë, Rafik Abdesalem. Vetë Hamas-i ka deklaruar se: “Shtabi i Përgjithshëm është shkatërruar tërësisht dhe disa shtëpi që ndodheshin afër tij janë të dëmtuara nga bombardimet barbare të Izraelit”. Ndërsa ushtria e Izraelit ka konfirmuar se “ka goditur Shtabin e Përgjithshëm të Ismail Hanijes në Gaza. Më tej nga burime burime të ushtrisë izraelite kanë saktësuar se: “Në gjashtë orët e fundit forcat e mbrojtjes  kanë marrë në shenjë 85 baza terroristësh”. Bombardimet kanë goditur banesën e një përgjegjësi të Hamasit në kampin e refugjatëve në Jabalia  duke shkaktuar të paktën 35 të plagosur. Sipas zëdhënësit të shërbimit të sigurisë Adham Abu Selmija, është goditur edhe shtëpia e ministrit të brendshëm palestinez, Ibrahim Salah ku ka ende viktima nën rrënoja. Duket se nuk ka më vende të shenjta në konfliktin mes Hamasit dhe Izraelit sepse tashmë synohet pikërisht Jeruzalemi. Buletin lufte? Nuk ka për të mbaruar kurrë lufta e përjetshme? Ketë herë ndryshon ndonjë aktor, tashmë nuk është më Siria e zhytyr në problemet e saj por Irani që mund të qëndrojë prapa ndonjë shteti tjetër që kërkon të sulmojë Izraelin. ishte 5 qershori i vitit 1967, kur një sulm i forcave ajrore izraelite nisi Luftën e III arabo - izraelite e quajtur edhe Lufta e gjashtë ditëve. Asokohe Izraeli shkatërroi të gjithë aviacionin e Egjiptit dhe Sirisë.  Në këtë mënyrë Izraeli arrinte të merrte të gjithë Gadishullin e Sinait dhe Rripin e Gazës e cila deri në ato momente kishte qenë nën administrimin e ushtarakëve egjiptianë. Këto territore (përjashto këtu Sinain që ju kthye Egjiptit pas marrëveshjes së Kemp David në 1978) filluan të quheshin “territoret e pushtuara” dhe vendet arabe i quanin (al-aràd al-muhtàlla). Edhe në vitin 1973, një tjetër krizë që do të shpinte në Luftën e IV arabo - izraelite e njohur si Lufta e Kippur-it (nga një festë fetare hebraike). Këtë herë ishte Egjipti dhe Siria që sulmuan papritur Izraelin i cili humbi kontrollin e Kanalit të Suezit. Sidoqoftë gjenerali Ariel Sharon dhe trupat e tij u përgjigjën më së miri. Ndërhyri OKB dhe erdhën marrëveshjet mes Izraelit dhe Egjiptit i cili njohu edhe shtetin e Izraelit. Një shtet i cili ishte i pavarur që prej 14 majit të vitit 1948. Pikërisht në ato vite të pavarësisë së Izraelit ishte parashikuar edhe krijimi i një shteti të dytë. “Sipas së drejtës së natyrshme dhe historike të popullit hebre, dhe të rezolutës të Kombeve të Bashkuara, ne proklamojmë me këtë akt krijimin e shtetit hebre të Palesinës që merr emrin Izrael” -  por sidoqoftë kjo deklaratë nuk përcaktonte kufijtë e shtetit të ri. Duken të largëta vitet kur arrihej në Marrëveshjen e Oslos kur Rabin dhe Arafat shtrëngonin dorën mes tyre në prani të presidentit Bill Klinton në Shtëpinë e Bardhë. Për herë të parë  të dy palët arritën të njihnin njëri-tjetrin dhe kjo ishte e një rëndësie të veçantë. Teorikisht u vendos që në pesë vitet në vijim të bisedohej për gjëra të rëndësishme siç ishin territoret, kufijtë, e ardhmja e kolonëve hebrenj, refugjatët dhe për qytetin e Jeruzalemit. Ndërsa sot gjendja është përsëri  e vështirë. Izraeli ka thirrur 75.000 rezervistë duke lëvizur trupat për një sulm nga toka që sipas komandantëve mund të zgjasë rreth 7 javë. Tashmë dëgjohen sirenat e alarmit dhe njerëzit e frikësuar që shkojnë në vendstrehimet publike. Në të njëjtën kohë kemi të bëjmë edhe me një luftë nervash, Hamas nga ana e tij që kërkon përshkallëzimin e situatës duke u mburrurr për sukseset. (Hamasi ka propaganduar me të madhe se gjoja kishte hedhur në erë  parlamentin Knesset dhe se ka rrëzuar një bombardues izraelit).  Vizita e kryeministrit egjiptian Hisham Kandil në Gaza kishte dhënë sinjale të një qetësie kalimtare. Por Ismail Hanijeh, kreu i ekzekutivit të Hamas- it ka dalë nga vendet ku fshihej duke shoqëruar Kandil në spitalet e Shifas. Izraeli nga ana e tij për disa orë nuk ka goditur më. Për të rifilluar më pas. Palestinezët thonë që mes viktimeve ka patur rreth 30 të tillë mes të cilëve shumë fëmijë dhe se të palgosurit arrijnë në 250. Në Izrael ka patur deri tani tre të vdekur. Rezervistët janë thirrur në fillim 16 mijë për të kaluar më pas në 75 mijë. Në Rripin e Gazës janë vendosur shumë brigada nëpër rrugë dhe janë të gatshëm për të sulmuar. Vetë Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, gjenerali Benni Gantz nuk i ka fshehur planet: “Jemi këtu sot në vigjilje të një operacioni të mundshëm tokësor. Nuk është hera e parë në Gazë”. Për këtë arsye i shpejtë ka qenë angazhimi i kreut të OKB, Ban Ki Moon ndërsa presidenti Obama ka folur në telefon duke shprehur keqardhjen e tij për viktimat e të dyja palëve. Me kryeministrin Benjamin Netanjahu ka ritheksuar mbështetjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të drejtën e vetmbrojtjes ndërsa presidentii egjiptian, Mohamed Morsi, i ka kërkuar që të rrisë bashkëpunimin duke e lëvduar ndërkaq për punën e bërë  nga Kajro si ndërmjetësuese për paqen. Ndërkaq presidenti i moderuar i Autoritetit Kombëtar Palestinez, Abu Mazen kërkon që të rilidhet me Hamasin sepse sipas tij ky është moment i duhur. Nga ana tjetër ka kërkuar se do të kërkojë më datë 29 nëntor në OKB njohjen e “Palestinës si një shtet anëtar” megjithë kundërshtimet e ashpra të Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›