Për pizhamet e Ndrekos, Rama sulmon frakun e Europës

Jopolitikani Rama s’po e kalon as provimin e vjeshtës - Pasi bllokoi për 3 vjet statusin e kandidatit, Edi Rama nxori me pizhame Vangjel Ndrekon e Fierit për të sulmuar Frakun e Europës, apelin elitar të Brukselit për integrim. Edvini ka edhe 24 orë kohë për të dhënë konsensusin për 3 ligjet e kërkuara nga Brukseli, por ai ka shpallur “grevën e heshtjes”, duke mos iu përgjigjur as apeleve publike të mazhorancës e as shpresës së ndërkombëtarëve. Kreu i PS-së s’po e kalon as provimin e vjeshtës si politikan, duke bërë kurban statusin e kandidatit, por edhe duke prenotuar falimentimin e tij në vitin 2013
Atë që dikur, realisht jo shumë larg, Edi Rama e quante provim vjeshte për qeverinë, po rezulton se është provim vjeshte për atë vetë. Ndërsa vetëm pak javë më parë, kur Edi Rama ende nuk e kishte “zbuluar” Bubullimën si “tokë e premtuar”, përmbushjen e detyrimeve përballë statusit të vendit kandidat e quante detyrim për qeverinë, për pasojë edhe provim (të vështirë) vjeshte (sërish ëpr qeverinë), ditët e fundit, kur nuk kanë mbetur më shumë se 24 orë për të dhënë konsensusin, nuk po gjen vend për tu fshehur, përballë provimit të vjeshtës që ai duhet të kalojë vetë tani..., veç pizhameve të Vangjel Ndrekos.
Vangjel Ndreko, për ata që me të drejtë, nuk ju kujtojnë gjë ky emër, është “pretendenti për fronin” e kryetarit të Këshillit të Qarkut të Fierit..., “fron”, që Edi Rama ka zgjedhur të mos e sakrifikojë, as për statusin e kandidatit të Shqipërisë për në BE. Për këtë, pasi bllokoi për 3 vjet statusin e kandidatit, Edi Rama nxori me pizhame Vangjel Ndrekon e Fierit, bashkë edhe me nervi-shiatikun e tij, për të sulmuar frakun e Europës, apelin elitar të Brukselit për integrim.
I ngecur nëpër pizhamet e Vangjel Ndrekos, Edi Rama ka edhe 24 orë kohë për të dhënë konsensusin për tre ligjet e kërkuara nga Brukseli. Por, përballë angazhimit për të marrë përgjegjësitë, ai ka shpallur “grevën e heshtjes”, duke mos iu përgjigjur as apeleve publike të mazhorancës e as shpresës së ndërkombëtarëve.
Për Edi Ramën, nuk është se kanë më shumë rëndësi pizhamet e Vangjel Ndrekos, mbi “fronin” e kreut të Qarkut të Fierit, por i duhen ato pizhame, “ti tund si flamur”përballë apeli të zotërinjve me frak, nga Bruskeli, që ai të mos ngatërrojë “kekun me byrekun”.
Me këtë paaftësi të radhës, Edi Rama po demonstron se si kreu i PS-së s’po e kalon as provimin e vjeshtës si politikan, duke bërë kurban statusin e kandidatit, por edhe duke prenotuar falimentimin e tij në vitin 2013.