E falënderojnë Kanadanë

Hapja solemne e ekspozitës do të bëhet me 30 gusht në ora 19:00 në Galerinë e Artit Alederney Landing, ku përveç zyrtarëve të ndryshëm të qytetit të Halifaxit dhe atyre qeveritarë të Kanadasë dhe Provincës së Nova Scotia-s, nga Kosova do të marrë pjesë zëvendësministri i Kulturës, Hajdin Abazi, i cili edhe do të mbajë fjalën e rastit. Abazi do të jetë në Halifax, Canada së bashku edhe me artistin Xhevat Latifi dhe drejtorin ekzekutiv të fondacionit Bislimi Grup, Halit Bislimi.
Përveç hapjes solemne te ekspozitës në fjalë, zëvendësministri Abazi do të ketë një serë takimesh me zyrtarët më të lartë të qeverisë së Nova Scotia-s, duke përfshirë këtu ministrin e Kulturës, z. Prerya, ministren e Arsimit, znj. More, etj. Abazi po ashtu do të ketë një vizitë zyrtare edhe në bazën ushtarake të Forcave Kanadeze në Greenwood, NS, ku janë pritur mese pesë mijë refugjatë të Kosovës gjatë luftës që kanë ardhur në Kanada. Shumica e tyre, sot e quajnë Kanadanë atdhe të dytë.
Përpos ekspozitës, poeti Xhevat Latifi do të paraqitet me poezinë e tij ‘Më thuaj një fjalë të mirë’ të përkthyer në anglisht, në Tabloidin Ndërkombëtar të Poezisë, takim ky i poetëve nga shumë vende të botës, që do të mbahet në Halifax, NS. Latifi, anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës dhe autor i disa vëllimeve me poezi në shqip, do të ketë edhe disa takime të rëndësishme me botues ndërkombëtarë në Halifax, nga të cilat pritet të arrihet një marrëveshje për botimin në anglisht të një antologjie të poezisë moderne shqiptare, e cila do të distribuohej ndërkombëtarisht.
Faton Bislimi, themelues dhe president i fondacionit Bislimi Grup, thotë se arti është një mënyrë e veçantë e lidhjes në mes popujve dhe vendeve. “Andaj, fondacioni ynë ka punuar për muaj të tërë në realizimin e këtij projekti dhe besojmë që në të ardhmen do të ketë projekte të ngjashme edhe nëpër vende tjera”, u shpreh ai Kurse, znj. Farmer, drejtoreshë e Galerisë së Artit që ndihmoi në realizimin e këtij projekti, thotë se “kjo është një mënyrë shumë e mirë dhe efikase për ndërtimin e një imazhi sa më të mirë për shtetin e ri”.
Ky projekt është përkrahur financiarisht nga Komuna e Gjilanit dhe Fondacioni Bislimi Grup.