Noel Malcolm: Unë e çmoj Kadarenë, por ai është keqkuptuar

Historiani anglez Noel Malcolm i rikthehet një kontrasti me Ismail Kadarenë, dhe këtë herë ka marrë shkak nga një shkrim i publikuar në Gazetën Shqiptare me autor Gjekë Gjonlekaj, në të cilin – këtë thotë në thelb Malcolmi – bëhen spekulime mbi kritikat që ky vetë i ka bërë Kadaresë në vitin e largët 1997.
Dhe përpiqet të davarisë njëherë e mirë retë e keqkuptimeve mes tij e shkrimtarit shqiptar.
“Unë e konsideroj atë, jo vetëm novelistin më të madh shqiptar, por edhe një nga shkrimtarët më të mëdhenj të botës së sotme”, saktëson Malcolm.
Sipas Malcolmit, shkaku i sherrit ka qenë nënvizimi i tij se Kadare nuk ka qenë disident gjatë regjimit komunist, se ky është një pretendim i tepërt dhe i kotë i Kadaresë, pasi nuk ka qenë e mundur të ishe gjatë komunizmit edhe disident, edhe i lirë, se “vlera artisitike e një letërsie aq madhështore e shpie atë në një hapësirë krejt tjetër, shumë më lart se çdo aktivitet politik”.