E Shtunë, 31 Tetor 2026

E fejuara e Edmond Dervishit: Nuk kishte asnjë problem, më ra të fikët kur e gjeta të vrarë

edmond-dervishi-1E fejuara e Edmond Dervishit, i ekzekutuar në Tiranë të dielën në mbrëmje, ka rrëfyer tmerrin e atij momenti.

Duke folur për GSH, Idrina thotë se Edmondi nuk kishte asnjë problem, ndërkohë që në media qarkullojnë pista nga më të ndryshme për vrasjen e tij, që nga lidhjet e hershme me bandat e Tiranës, trafiku i drogës, flirtet me femra, etj.

Edi ka qenë një njeri i qetë, i respektueshëm nga të gjithë, ai u shmangej problemeve dhe konflikteve. Nuk ka qenë i përfshirë në asnjë aktivitet kriminal. Ka punuar gjithë jetën si shofer në institucionet e shtetit, thotë Idrina, duke kërkuar drejtësi nga shteti.

Ndërsa për momentin e ngjarjes, ajo thotë: Ishim në plazh atë ditë bashkë me Edin. U kthyem pasdite vonë. Shkuam tek shtëpia e prindërve të Edit dhe aty ndenjëm ca. Pastaj, pasi u thamë natën e mirë, u nisëm drejt shtëpisë sonë, që nuk e kemi shumë larg shtëpisë së tyre.

Ka qenë ora 21:50 minuta. Ishim duke folur për pushimet që do i kalonim në jug të Shqipërisë.

Kur shkuam poshtë pallatit tonë, Edi shkoi të parkonte makinën, ndërsa unë u futa në dyqan për të bërë disa pazare të vogla. Kur dëgjova komshiun e katit të dytë që doli poshtë dhe bërtiti kanë vrarë Edin. Dola dhe e pyeta se çfarë po ndodhte, vrapova me shpejtësi tek pallati dhe tek sheshpushimi i katit të parë gjeta Edin të shtrirë dhe në gjak.

Nuk mbaj mend se çfarë kam bërë. Isha e tmerruar dhe shumë e tronditur. Mbaj mend që kam thirrur “ndihmë!”, pastaj e shkunda Edin dhe i thashë “Edi, çohu të shkojmë në spital”, doli komshia dhe më tha ‘lëre, se është e kotë’. Më pas nuk mbaj mend se çfarë ka ndodhur, kapa një fëmijë për dore dhe më kishte rënë të fikët./ep

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›