E gjithë Qendra dhe E Djathta bashkohen me Berishën, kundër të majtës së ekstremizuar
Partia Demokratike miratoi mbrëmë negociatat për të mirëpritur në aleancë, të gjitha forcat politike të Qendrës dhe të së Djathtës së Bashkuar, të cilat identifikohen në vokacionin perëndimor dhe rreshtohen kundër një koalicioni të majtë, që po ekstremizohet gjithmonë e më shumë. Kryesia e PD-së vendosi që grupi negociator për formimin e koalicionit parazgjedhor, do të kryesohet nga kryetari Sali Berisha
Procesi zgjedhor, i lirë dhe i ndershëm, Rama po përdor KQZ-në si objekt bllokimi
Partia Demokratike ftoi dje zyrtarisht partitë e qendrës dhe të qendrës së djathtë t’i bashkohen koalicionit të kryesuar prej saj. Kryeministri i vendit dhe njëherësh kryetar i PD, Sali Berisha bëri publike ftesën gjatë mbledhjes së kryesisë, duke lançuar kështu projektin e zgjerimit të koalicionit parazgjedhor të partive të djathta dhe përfshirjes në të, të çdo partie të orientimit të qendrës së djathtë. “E mblodha kryesinë për të marrë nga ju autorizimin për koalicionin, i cili del se është dhe do të jetë më i gjëri që ka pasur Partia Demokratike, në tërë ekzistencën e saj. Ky koalicion që realizohet në këto zgjedhje do jetë koalicioni i të djathtës së bashkuar dhe qendrës. Të gjitha partitë e spektrit politik të djathtë, të qendrës së djathtë dhe të qendrës grupohen dhe do grupohen këto ditë, me Partinë Demokratike. Në dallim nga viti 2009, koalicionit tonë i shtohen një numër tjetër forcash politike të qendrës dhe të djathtës. Të nderuar anëtare e anëtarë të kryesisë, sugjerimi im është që koalicioni E djathta e bashkuar dhe qendra duhet të konkretizohet me përfshirjen në këtë koalicion të të gjitha forcave politike që e ndjejnë veten të orientimit të qendrës dhe së djathtës të bashkuar. Ne hapim dyert për këtë”- u shpreh kryeministri Berisha. Shefi i ekzekutivit u ndal edhe në një moment të veçantë, sipas tij, atë të formësimit të koalicionit opozitar. Berisha tha se e majta po i ofron sot shqiptarëve, një koalicion të ekstremizuar me katër parti komuniste në të. “Këtu dua të ndalem edhe në një moment. Krahu tjetër rreshtoi në koalicion katër parti komuniste, me emra të ndryshëm. Gjej edhe ndonjë prej tyre që nuk duhet të ishte kurrë. Por liria i këto ka. Koalicioni tjetër u ekstremizua, shkoi tërësisht drejt ekstremit të majtë, që shqiptarët kanë memorien më të hidhur me të”- theksoi Berisha. Apeli kryeministrit për bashkimin e të djathtës, shkon edhe për shkak të vokacionit perëndimor që mbart ky krah politik, në kushtet e bllokimit nga e majta të integrimit të Shqipërisë në Europë.
“Ne duhet të përfshijmë të djathtën, qendrën e djathtë dhe qendrën dhe të dalë koalicioni i të djathtës së bashkuar dhe qendrës. Tipari më kryesor, më kardinal i këtyre forcave politike është respekti për vokacionin perëndimor të kombit shqiptar. Asnjë nga këto forca nuk mund të imagjinojë qoftë edhe për një moment, cilido qoftë pushteti i saj për të penguar procesin e integrimit në BE, proces kryesor për të ardhmen e vendit. Pra, nuk ka forcë politike të djathtë, nuk ka forcë politike të qendrës, nuk ka forcë politike të qendrës së djathtë që mund ti lejojë vetes të hezitojë qoftë edhe një moment për të mos përmbushur qoftë edhe një detyrim që rrjedh nga vokacioni perëndimor i popullit shqiptar. Dy kanë qenë vokacionet që kanë ekzistuar në këtë vend, vokacioni nativ perëndimor që u rezistoi të gjitha përpjekjeve për të denatyruar këtë vokacion dhe tjetri, vokacioni totalitar, i kuq, i majtë që bëri gjithçka për të shkatërruar vokacionin perëndimor, por në mënyrë të dështuar. Ndaj dhe unë mendoj që ky fakt duhet të na bëjë ne që të bëjmë të gjitha përpjekjet për të krijuar koalicionin e djathta e bashkuar dhe qendra”- tha ai.
Gjithashtu, kryeministri Berisha hoqi paralele dhe mes marrëveshjes së Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, për interesat e integrimit, dhe bllokimit që Edi Rama i bën vendit të tij, në rrugën e BE-së. “Kjo marrëveshje hap një epokë të re në marrëdhëniet mes dy vendeve, por edhe për rajonin. Pala serbe në vendimin që mori, argumentin e parë para qytetarëve të Serbisë, paraqiti argumentin evropian. Kjo marrëveshje, hap rrugën drejt BE-së, sikurse edhe Kosovës. Kurse kryetari i opozitës, si e si ta bllokojë më shumë këtë rrugë. Edhe një fjalë që i kishte dhënë aleatit të tij të ri, që flet për rotacion kur ai e bëri rotacionin e do ta bëjë sërish, dhe ligjet ende presin në sirtarët e kuvendit”- theksoi Berisha. Në përfundim të mbledhjes Kryesia e PD-së vendosi që grupi negociator për formimin e koalicionit zgjedhor, do të kryesohet nga kryetari i Partisë Demokratike, kryeministri Sali Berisha dhe do të përbëhet nga Ridvan Bode dhe Oerd Bylykbashi.