E Shtunë, 31 Tetor 2026

E izoluar dhe përdhunuar nga i ati, testi i ADN-së vërteton akuzat

Testi i ADN-së ka vërtetuar pohimin e austriakut Josef Fritzel, se ai ishte babai i gjashtë fëmijëve të së bijës që për 24 vite e kishte mbajtur të mbyllur në qilar. Shefi i policisë në Austrinë e poshtme, Franz Poler, tha se Josef Fritzl, kishte gënjyer plotësisht bashkëshorten e tij, familjen dhe fqinjët, në qytetin e Amstetten-it. Ai tha se 73-vjeçari, e kishte detyruar të bijën, Elisabet, të shkruante letra ku ajo pohonte se ishte larguar me dëshirën e saj dhe askush të mos e kërkonte atë. Fritzl, ishte dënuar edhe më herët me 14 ditë burg nga një gjykatë rajonale. Ndërkohë, vetë babai-monstër nuk bëri asnjë deklaratë në gjykatën e kryeqytetit provincial, Shën Poelton, duke ndjekur kështu këshillën e avokatit të tij. Duke folur në një konferencë për shtyp, Polzer kishte thënë se hetuesit kishin konfirmuar deklaratat e bëra nga Elisabet dhe pohimet e bëra nga Josef Fritzl gjatë marrjes në pyetje. "Testet e ADN-së siguruan prova të mëtejshme se gjashtë fëmijët e lindur nga Elisabeta kishin të njëjtin baba", tha ai. "Ne jemi të sigurt se ky njeri nuk ka lënë asgjë pa bërë në mënyrë që të mashtrojë familjen, bashkëshorten, të afërmit, fëmijët dhe këdo që e rrethonte atë. Ai nuk ka pasur skrupuj për të përdorur çfarëdolloj mjeti në mënyrë që të mashtrohej publiku dhe të mbulohej krimi i tij", kishte shtuar ai. Policia ndërkohë po vazhdon kërkimet në shtëpinë e familjes, në qilarin ku ishte mbajtur Elisabeta dhe tre fëmijët e saj si edhe në pjesën e sipërme të shtëpisë ku Fritzl kishte jetuar me bashkëshorten e tij dhe tre fëmijët e tjerë të Elisabetës. Deri këtë javë, skandali i rrëmbimit më të bujshëm në Austri, ishte ai i Natasha Kampush, që u rrëmbye në moshën 10 vjeç dhe u mbajt në një qilar nën garazhin e rrëmbyesit të saj për tetë vjet, para se ajo të mund të arratisej në gusht 2006. Ndërkohë, tani austriakët kanë filluar të bëjnë krahasime. Mediat pyesin nëse të dyja këto raste së bashku e kanë prezantuar Austrinë si një shoqëri indiferente, qytetarët e të cilës injorojnë vuajtjet njerëzore fare pranë tyre në vend që të ndërhyjnë dhe të bëjnë diçka. "Unë vetë isha i zemëruar më fqinjët në rastin ‘Kampush‘", thotë një biznesmen që jeton në afërsi të shtëpisë Fritzl. "Tani, unë jam në po atë situatë". Një tjetër banor i Amstetten-it, 75-vjeçar, Joakim Vasler, pohon se kishte paralele. "Është si rasti ‘Kampush‘, por akoma më i keq", thotë ai duke shtuar: "Nuk është Austria e tillë. Këto lloj gjërash ndodhin gjithandej". E përditshmja austriake "Österreich" mendon ndryshe: I tërë Amstetteni duhet të zhytet në turp", shkruan gazeta në një editorial, "fqinjët janë bërë të verbër". Ndërsa Der Standard, insiston: "I tërë komuniteti duhet të pyesë veten se çfarë ka shkuar keq, çfarë po ndodh me ta".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›