E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza e ushqimeve, lind Task-Forca e OKB-së

Agjencitë e Kombeve të Bashkuara dhe Banka Botërore u angazhuan të martën të krijonin një Task-Forcë, e cila do të luftojë një rritje të paprecedentë të çmimeve të ushqimeve, në shkallë globale, rritje kjo që po kërcënon të ndezë një zemërim të paprecedentë social. Organizmat ndërkombëtarë u kërkuan vendeve të botës të mos kufizojnë eksportet e ushqimit për të siguruar furnizimet në vend, duke paralajmëruar se kjo vetëm sa do ta përkeqësonte problemin. "Ne mendojmë se përshkallëzimi dramatik i çmimeve të ushqimeve në mbarë botën është shndërruar në një sfidë të paprecedentë në përmasa globale", thanë Kombet e Bashkuara në një deklaratë për shtyp. Kjo është bërë një krizë për njerëzit më vulnerabil të botës, përfshirë edhe të varfrit në zonat urbane, u tha pas një takimi të shefave të 27 agjencive ndërkombëtare në kryeqytetin zviceran, Bernë, ku ata diskutuan mënyrat për zgjidhjen e krizës së ushqimeve që ka shkaktuar uri, protesta dhe dëshpërim në vendet e varfra. "Edhe pse ne kemi parë çmimin e grurit të bjerë këto ditët e fundit, orizi dhe misri do të vazhdojnë të njohin rritje dhe mielli gjithashtu", tha Presidenti i Bankës Botërore, Robert Zoellik, në një konferencë të përbashkët për shtyp. Kostoja e lartë e miellit, orizit dhe produkteve të tjera ka vënë nën presion të madh siguruesit e ndihmave si Programi Botëror i Ushqimit, një agjenci e Kombeve të Bashkuara që synon të ushqejë 73 milionë njerëz këtë vit. Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Mun, i kërkoi komunitetit ndërkombëtar t‘i sigurojë Programit Botëror të Ushqimit 755 milionë dollarë në fonde emergjence, për të cilat kjo agjenci ka nevojë për të përballuar krizën. "Pa financime të plota dhe pa përmbushjen e kësaj kërkese, ne sërish rrezikojmë të përballemi me spektrin e urisë masive, kequshqimit dhe zemërimit social, në një shkallë të paprecedentë", tha Ban Ki-Mun. Shqetësimet në lidhje me çmimet në rritje të ushqimit dhe furnizimet e kufizuara kanë rrëzuar qeverinë në Haiti dhe kanë shkaktuar trazira në pjesë të Afrikës. Task-Forca, që mbledh shefat e agjencive të Kombeve të Bashkuara, fondeve dhe programeve, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bankën Botërore, nën udhëheqjen e sekretarit të OKB-së, do të përcaktojë prioritetet për një plan aksioni dhe do të bëjë të sigurt që ky plan të zbatohet. Në anën tjetër, Organizata e Kombeve të Bashkuara për ushqimin dhe bujqësinë (FAO) ka bërë të ditur se çmimet e produkteve ushqimore të përditshme ishin 57 për qind më të larta në mars të 2008-ës, në krahasim me një vit më parë. Rritja ka ardhur për një seri faktorësh përfshirë rritjen e kërkesës në vendet në zhvillim, çmimin e lartë të naftës, thatësira në Australi, përdorimin e drithërave për biokarburantet dhe spekulimet në tregjet globale financiare. Fermerët në botën në zhvillim, shpesh më të varfrit në vendet e tyre, gjithsesi, nuk përfitojnë asgjë nga këto çmime më të larta. Ata synojnë tani të ruajnë për t‘u ushqyer pjesën më të madhe të të korrave sesa ta nxjerrin atë në shitje, ndërkohë që çmimet e larta të naftës dhe plehrave kimike po i pengojnë ata të shtojnë aktivitetin. "Edhe pse në disa zona ku njerëzit e dinë se çmimet janë më të larta, ata nuk mund të mbjellin më shumë për shkak të frikës se do të përballeshin me kosto shumë të larta të prodhimit", thotë Zoellik. Gjithsesi, pati një ulje të vogël të çmimeve të martën. Në SHBA, orizi ka shënuar një rënie me 2.5 për qind, duke e çuar akoma më tej një tendencë të filluar që nga java e shkuar, kur ky produkt shënoi një çmim rekord. Ndërkohë, Tajlanda, eksportuesja më e madhe në botë e orizit, ka bërë të ditur se do të përdorë rezervat qeveritare për përdorim të brendshëm dhe vetë tregtarët parashikojnë të korra të mbara në Azi. E ndërsa çmimi i orizit parashikohet të ulet, shumë vende po nxitojnë të rrisin prodhimin. Por, pavarësisht nga kjo, tregu ka pak gjasa të kthehet në nivelet e viteve të fundit. India, mësohet se ka hequr taksat e eksportit mbi orizin dhe produkte të tjera, ndërsa qeveria ka zbuluar një seri masash për të luftuar inflacionin e shkaktuar kryesisht nga rritja e çmimit të ushqimeve. Banka Botërore, ndërkohë, u ka kërkuar vendeve të mos ndalojnë eksportet e ushqimeve, duke thënë se kjo vetëm sa përkeqëson problemin. "Ne po u kërkojmë vendeve të mos vendosin bllokada mbi eksportet", tha Presidenti i Bankës Botërore. "Këto kontrolle inkurajojnë rritjen e stoqeve, ngrenë çmimet dhe dëmtojnë njerëzit e varfër anembanë botës, të cilët po luftojnë për mbijetesë".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›