E majta dhe kundërshtimet e saj ndaj reformave
Mesazhet janë të qarta ndërsa kushtet në të njëjtën kohë janë shumë të forta. Ndoshta për këtë arsye tani po kthehet në një nga pyetjet kryesore të ditës. Është ndërkaq një kërkesë e rëndësishme financiare por edhe gjeopolitike. Duket se Spanja, një vend anëtar i Bashkimit Europian po merr kohë. Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy kërkon të shmangë sa më shumë kërkesën për ndihmë dhe kërkon të “blejë” në njëfarë mënyre kohë. Sidoqoftë në një intervistë dhënë për Wall Street Journal ka theksuar se do të kërkojë ndihmë vetëm nëse taksat e interesit mbi borxhin e vendit të tij “do të qëndrojnë të lartë për një kohë të gjatë” dhe nëse kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian do të jenë të pranueshme. Natyrisht ky është një problem që nuk i përket vetëm Spanjës sepse edhe fatet e Italisë janë të lidhura me këtë vend. Nga ana e saj Italia duhet të mbrohet mirë, sepse shkurtimet e shpenzimeve publike mund të sjellin përmirësime në frontin e borxhit. Natyrisht për Italinë, nëse në të ardhmen do të vihej përsëri në diskutim, kjo do të kërkonte me shpejtësi “mbrojtjen” e fondit i cili do të ishte edhe më i leverdishëm. “Në fazën kritike të fillimit të verës u tha se kryeministri spanjoll kishte ndërmend që mos të ishte i pari që do të kërkonte mburojën e Bankës Qëndrore Europiane, dhe se mbështetja e Mario Montit në të famshmin takim të muajit qershor, që vuri në presion kancelaren Merkel, ndoshta ishte i lidhur me faktin që t’u kërkonte ndihmë italianëve. Nuk dihet vendimi i Montit” - ka deklaruar një prej analistëve të Bankës së investimeve G. Rogi. Ndërkaq në këtë situatë në një tjetër vend anëtar të Bashkimit Europian janë zhvilluar manifestime. Ka qenë manifestime të zhvilluara në disa prej qyteteve kryesore të vendit fqinj të Greqisë. Natyrisht partitë e majta nuk ndihmojnë aspak në realizimin e reformave. Është thënë ndërkaq se pikërisht nga masat shtrënguese të qeverisë së Samaras e majta ka filluar që të organizojë manifestimet e saj. Ka patur edhe deklarata të të majtëve: “Masat e padurueshme dhe të dhimbshme nuk duhet të kalojnë, kjo politikë shkatërron gjendjen sociale”. Ndërsa lideri i partisë së majtë radikale greke Siriza ka shtuar se: “Tashmë fjala i kalon shoqërisë, meqenëse qeveria e koalicionit, e udhëhequr nga Samaras, nuk është në gjendje të mbrojë interesat elementare të shoqërisë greke dhe për më tepër kërkon të firmosë masat që të shpien drejt holokaustit. Greqia nuk mund të transformohet në një varr të madh social”. Ndërsa liderë të tjerë të komunistëve grekë kanë shtuar se: “Populli grek duhet të kuptojë se duhet evituar më e keqja” - ka theksuar Papariga sekretar i përgjithshëm i partisë komuniste greke. Kjo ishte greva e tretë që bëhet që prej kohës që Samaras udhëheq qeverinë greke. Por nëse të majtët janë kundër reformave për daljen nga kriza kjo rrit edhe më tepër pasigurinë për vendin fqinj dhe për vetë Europën. Madje edhe kreditorët ndërkombëtarë janë ende të paqartë për mënyrën sesi duhet të përballojnë borxhin grek prej 327 miliardësh eurosh pas dy shpëtimesh prej 110 dhe 130 miliardë euro, dhe një strukturim prej 100 miliardësh që nuk kishte ndodhur asnjëherë në histori. Edhe takimi i Kristine Lagarde me kancelaren Merkel ka qenë fokusuar tek Greqia e cila ka nevojë për më tepër kohë, flitet për të paktën dy vjet për të arritur objektivat e saj. Lagarde ka theksuar se vonesat në privatizimet nuk lejojnë vendin fqinj të Greqisë që të arrijë objektivat e saj dhe kjo do të thotë që vetëm në vitin 2015 Greqia do t’i kthehet tregjeve. Ndërkaq nuk dihet ende se kur do të kthehet Trojka në Greqi. Komisioni i Bashkimit Europian, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Qëndrore Europiane janë kthyer nga Greqia pa mbyllur asgjë konkrete. Po flitet ndërkaq, dhe vetë ministri grek i Financave, Janis Stournaras ka konfirmuar mundësinë e skadencave të kthimeve të borxhit grek nga ana e Bankës Qëndrore Europiane për të reduktuar defiçitin. Do të ishte një operacion që do të kryhej me titujt grekë për rreth 28 miliardë euro që do të skadojnë mes vitit 2013 dhe 2016. Por përfaqësuesi gjerman Jorg Asmussen, anëtar i drejtorisë së Bankës Qëndrore Europiane, në një intervistë të tij dhënë për gazetën Die Welt nuk e pranon ristrukturimin e borxhit grek. “Nje suplement për Greqinë mund të propozohet vetëm nga anëtarët e zonës euro”. Në këtë mënyrë kjo situatë do të vendoset prej Lagarde dhe kancelares gjermane Merkel