E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firmoset në Nju Jork memorandumi për gazsjellësin TransAdriatik

28-09-2012 / Gazeta 55

Nënshkrimi nga ministrat e Jashtëm Panariti, Terzi dhe Avramopulos. BE dhe SHBA përshëndesin marrëveshjen politike 

UPDATE- Nënshkruhet në Nju Jork, memorandumi për gazsjellësin TAP. Memorandumi u nënshkrua nga tre Ministrat e Jashtëm, ministri shqiptar Edmond Panariti, ai grek Dimitris Avramopulos dhe ministri italian, Giulio Terzi. Dokumenti i nënshkruar është një memorandum mirëkuptimi, i cili shënon hapin e parë në nivel politik, që do të pasohet nga analiza teknike për infrastrukturën e re. Më vonë, pasi negociatat të hyjnë në një fazë tjetër, do të nënshkruhet marrëveshja për gazsjellësin. Memorandumi i Mirëkuptimit ndërmjet Shqipërisë, Greqisë dhe Italisë, ku të tre vendet kanë shprehur synimin e tyre për të bashkëpunuar në ndërtimin e gazsjellësit Trans Adriatik (TAP), do t’i lidhë ato, duke sjellë gazin nga fushat Azerbajxhanit drejt Perëndimit.
Në ceremoninë e nënshkrimit që u zhvillua në misionin e Italisë pranë OKB-së në Nju Jork, ministrat e jashtëm e quajtën projektin mjaft të rëndësishëm për ekonomitë e tyre.
Ministri i jashtëm shqiptar Edmond Panariti, tha se kalimi i gazsjellësit në Shqipëri mund të krijojë shumë vende pune. “Fakti që ky tubacion do të kalojë në territorin shqiptar nënkupton që do të zhvillohet një infrastrukturë mbështetëse, gjë që do të thotë se firma të huaja do të angazhohen me investime. E gjitha kjo nënkupton hapjen e vendeve të reja të punës. Llogaritet se zhvillimi i këtij projekti do të krijojë 2 mijë vende të reja pune për Shqipërinë”., u shpreh kreu I diplomacisë shqiptare. Panariti tha gjithashtu se Gazsjellësi Trans Adriatik ka një numër avantazhesh në krahasim me projektin Nabucco West. “Projekti TAP ka avantazhe përsa i përket fizibilitetit ekonomik, atij financiar dhe karakteristikave teknike, krahasuar me projektin paralel Nabucco West. Kështu që unë shpresoj që në fund të dhjetorit apo në fillim të vitit tjetër, konsorciumi të përzgjedhë projektin TAP, si projekt fitues”.
Ndërkaq, ministri i jashtëm italian Giulio Terzi tha se projekti ka rëndësi në pikëpamjen e sigurisë energjetike. “Për vendin tim, kjo është pjesë e një tabloje më të gjerë të sigurimit energjetik. Gjithashtu, nga pikëpamja e zhvillimit infrastrukturor është me rëndësi sepse do të lejojë kalimin e gazit përmes Adriatikut drejt bregdetit italian, duke krijuar përfitime për Shqipërinë, Greqinë dhe vendet ku do të kalojë gazsjellësi”.
Ministri i jashtëm grek, Dimitris Avramopulos e shikon projektin me shumë leverdi për lehtësimin e vështirësive ekonomike në vendin e tij.
“Ky projekt ka shumë rëndësi në këto kohë të vështira ekonomike për të krijuar vende pune dhe nxitur zhvillimin. Veç kësaj, ai çon përpara dhe lehtëson bashkëpunimin mes tre vendeve. Do të kemi edhe bisedime dhe diskutime të tjera në mënyrë që të arrijmë në nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare”- tha kryediplomati grek.
Tubacioni TAP do të transportojë gazin natyror nga Azerbajxhani në Evropë, në mënyrë që të reduktohet varësia nga Rusia për furnizimin me gaz. Kapaciteti fillestar i tubacionit TAP do të jetë 10 miliardë metra kub në vit me synimin për të shkuar deri në 20 miliardë metra kub në vit. Qeveria shqiptare parashikon që gazsjellësi Trans Adriatik të sjellë në Shqipëri një investim prej 2 miliard eurosh. Aksionerët e TAP janë EGL-zvicerane me 42,5%, Statoil-norvegjeze me 42,5% dhe E.ON Rurgas-gjermane me%. Në projekt bashkëpunon edhe gjigandi italian i energjisë, “Enel”.
Aktualisht, konsorciumi “Deniz Shah” konsideron dy opsione për të ofruar gazin azer në Evropë; TAP dhe Nabucco, por vendimi përfundimtar mbi tubacionin, do të merret në vitin 2013.

BE dhe SHBA përshëndesin marrëveshjen politike të TAP
BE ka përshëndetur marrëveshjen politike mes të tre vendeve partnere në ndërtimin e gazsjellësit TAP, Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë duke e parë atë si një hap drejt gjetjes së mundësisë më të mirë për të sjellë direkt gazin nga Kaspiku drejt Evropës. Pas marrëveshjes të nënshkruar në Neë York nga tre kryediplomatët e Shqipërisë, Panarit, atij Italian Terzi dhe palës greke Avramopoulos KE ka reaguar përmes komisionerit për çështjet energjetike Gunther Ottinger.
Sipas komisionerit nënshkrimi i memorandumit është një tjetër hap i rëndësishëm drejt qëllimit të BE për të marrë gazin direkt nga rajoni i Kaspikut. Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të BE, Ottinger ka komentuar se marrëveshja politike do të mundësojë që procedurat për aprovimin përfundimtar si nga BE ashtu edhe nga qeveria e Azerbajxhanit do të shkojnë përpara në detaje dhe do t’i hapë rrugën marrëveshjes ndërqeveritare mbi kuadrin ligjor për këtë projekt të rëndësishëm.
Ndërkohë firmosja e marrëveshjes së mirëkuptimit mes Shqipërisë, Italisë dhe Greqisë është vlerësuar edhe nga SHBA. I dërguari special dhe koordinatori për çështjet ndërkombëtare të energjisë Karlos Paskual, përmes një deklarate e konsideron marrëveshjen si një hap të rëndësishëm në zhvillimin e projektit.
Korridori Jugor do të sjellë një burim të ri të furnizimit me gaz në Evropë, një qëllim që Shtetet e Bashkuara e mbështesin fuqimisht. Shumë vende evropiane varen kryesisht ose tërësisht nga një furnizues i vetëm energjie, dhe ne njohim rëndësinë që këto vende i japin të pasurit akses në burime energjie dhe rrugë transporti të ndryshme, deklaron Paskual. Në fillim të vitit 2012, TAP është përzgjedhur nga Konsorciumi Shah Deniz në Azerbajxhan si transporti më i preferuar i gazit drejt Europës. Gjithsesi sipas KE, cilidoqoftë vendimi përfundimtar për një apo më shumë tubacione, e sigurt është që do të ketë një sistemi të pandërprerë të tubacioneve të cilët do të ndërtohen nga deti Kaspik drejt Evropës. Në janar të vitit 2011, presidenti i KE, Hose Manuel Barroso dhe komisioneri për energjinë Ottinger vizituan Bakun dhe së bashku me presidentin Ilham Aliev ranë dakord se Azerbajxhani do të jetë kontribuuesi themelor dhe nxitës për furnizimin me gaz në të ardhmen të Evropës nga deti Kaspik.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›